Presionin për zgjedhje të parakohshme LVV-ja e synon pas zgjedhjeve brendapartiake

Presionin për zgjedhje të parakohshme LVV-ja e synon pas zgjedhjeve brendapartiake

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do t’i nënshtrohet procesit të brendshëm zgjedhor, me synimin që, pasi t’i forcojë radhët e saj, ta rrisë presionin për ta rrëzuar Qeverinë.

Kësisoj, zgjedhje të parakohshme nacionale nuk pret në afat të shkurtër.

Vendimin që më 2 maj të nisë procesi i garës së brendshme zgjedhore e ka marrë Këshilli i Përgjithshëm i LVV-së.

Zgjedhjet do të zhvillohen në tërë organizatën, nëpër pikat dhe qendrat e lëvizjes, të cilat janë ekuivalente me degët dhe nëndegët e subjekteve të tjera politike. Do të organizohen brenda dhe jashtë shtetit dhe do të finalizohen brenda tre muajsh, shkruan “Koha Ditore”.

Visar Ymeri, në një konferencë shtypi të organizuar të mërkurën, ka arsyetuar nevojën për zgjedhje në lëvizjen së cilës i prin dhe ka shprehur besimin se përkrahja për LVV-në është duke u rritur.

Por gjatë tre muajve sa do të zgjasin zgjedhjet e brendshme në LVV, a pritet që intensiteti i këtij presioni të mos pësojë ndonjë ndryshim dhe a do të kërkohen zgjedhje të parakohshme nacionale?

Visar Ymeri i përgjigjet kësaj pyetjeje:

“Për sa u përket zgjedhjeve të përgjithshme, natyrisht që Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë që mënyra e vetme e duhur që Kosova të ecë para, është që përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike ta kemi një qeverisje të re e cila do të jetë qeveri për qytetarin e Republikës dhe për fuqizimin e Republikës, e jo qeverisje siç e kemi parë deri tash, e që është shtetrrënuese, shtetshkatërruese për interesat e veta personale”, ka theksuar kreu i LVV-së. “Natyrisht që ne do të angazhohemi çdo ditë të punës sonë që këtë ditë të zgjedhjeve ta bimë sa më herët dhe sa më shpejt”.

Temat
Vend

Të afërta