OSBE: Zgjedhjet serbe në Kosovë kaluan në mënyrë të rregullt

Sipas Misionit të OSBE-së në Kosovë, zgjedhjet parlamentare serbe në Kosovë kanë përfunduar në mënyrë të rregullt. Kështu ka thënë zëdhënësi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të Misionit në Kosovë, Senad Saboviq.

“OSBE-ja kishte personel në çdo njësi ku po vazhdonte procesi, i cili ishte i trajnuar dhe kishte instruksione të qarta”, ka thënë për Tanjug Saboviq, transmeton KosovaPress.

Pa elaboruar detajisht, Saboviq ka thënë se personeli i OSBE-së ka reaguar në disa raste gjatë këtij procesi, duke shtuar se intensiteti i parregullsive ishte aq i vogël saqë nuk mund ta dëmtonte procesin e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

“Pas mbylljes së Qendrave të Votimit, kutitë e votimit janë marrë dhe janë dërguar në Rashkë dhe Vranjë, në Serbinë Qendrore, të cilat më pas i janë dorëzuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Serbisë për numërim”, ka thënë ai.

Sipas tij, fakti që procesi zgjedhor u organizua në bazë të modelit të OSBE-së nuk e bën procesin të parregullt, sepse ky proces është organizuar sipas modeleve të ngjashme me atë të vitit 2012 dhe të vitit 2014.

Sipas OSBE-së, 47 mijë e 500 votues, nga 106 mijë e 94 të regjistruar kanë ushtruar të drejtën e tyre për votë të dielën, ku fituese doli Partia Progresive Serbe me 69.09 për qind të votave.

Temat
LajmeVend

Të afërta