FDH kërkon që Serbisë t’i bëhet presion politik për personat e pagjetur

Me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Personave të Zhdukur, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDH Kosovë) kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet kompetente më shumë përkushtim në gjurmimin dhe gjetjen e mbetjeve mortore si dhe në identifikimin e mbetjeve mortore tashmë të gjetura.

Përmes një komunikate për media FDH Kosovë thotë se edhe më herët ka bërë thirrje që tema e personave të zhdukur të futet lartë në agjendën e bisedimeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

“Meqenëse ka një deficit të informacioneve mbi lokacionet e varrezave masive apo individuale dhe gjatë vitit të kaluar ka pasur një ngecje të theksuar në gjetjen e varrezave, presioni politik mbetet si mundësi që mund të sjell progres në këtë drejtim. Nuk ekziston asnjë argument i arsyeshëm i cili parandalon palët në dialog që të merren me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, meqenëse kjo çështje, së pari, duhet shikuar nga aspekti humanitar”, thuhet në komunikatën e FDH-së.

Gjithashtu, sipas FDH-së, palët në dialog duhet të përkushtohen dhe të marrin përgjegjësinë që ta adresojnë edhe përgjegjësinë penale për krimet e kryera gjatë luftës.

“Sipas disa të dhënave në Institutin për Mjekësi Ligjore në Prishtinë gjenden rreth 300 mbetje mortore të trupave që janë gjetur gjatë viteve të mëhershme në varreza të ndryshme. Në bazë të analizave të ADN-së këto mbetje mortore nuk rezultojnë pozitive me mostrat e gjakut të mbledhura nga anëtarët e familjeve të të zhdukurve. Nga ekspertët e fushës supozohet se ky problem është si rrjedhojë e identifikimeve të gabuara në të kaluarën”, thuhet në komunikatën e FDH-së.

Për këtë arsye FDH Kosovë apelon tek organet përgjegjëse që të ndërmarrin veprime konkrete që të mundësohet identifikimi i këtyre mbetjeve mortore duke intensifikuar bashkëpunimin me shoqatat e familjarëve të viktimave të luftës.

Identifikimi i këtyre mbetjeve mortore sipas FDH-së, do të lehtësonte dhimbjen e një numri të konsideruar të familjeve të viktimave, të cilët për 17 vite jetojnë në dhimbje dhe ankth. /KP/

Temat
Lajme

Të afërta