Man. City-Real Madrid, akti i parë drejt finales(VIDEO)

Manchester City dhe Real Madrid do të zbresin në fushë për aktin e parë të gjysmëfinales së UEFA Champions League. Anglezët që këtë sezon po shkëlqejnë në Europë, kanë arritur rekordin historik me këtë gjysmëfinale por tashmë duhet t’i bëjnë llogaritë me madrilenët që zbresin si favoritë në “Etihad Stadium”.

Mungesa më e madhe në kampin e skuadrës së Pellegrinit është kapiteni Yaya Toure i dëmtuar në ndeshjen e javës së fundit në kampionat, ndërsa në krahun tjetër, shpresat që Benzema të zbresë në fushë që nga minuta e parë janë të pakta.

Francezi vuan nga një problem fizik, ndërsa në grupin madrilen ka optimizëm për aktivizimin e Cristiano Ronaldos, i cili mund të rikthehet në fushë që nga minuta e parë. Për trajnerin Manuel Pellegrini kjo është edhe një sfidë hakmarrjeje pasi në vitin 2010 u largua nga stoli i Realit të Madridit, ndërsa ka mundësinë më të mirë për ta mbyllur sezonin me një finale të madhe europiane pasi në përfundim të aventurës në Manchester, vendin e tij do ta zejë Pep Guardiola.

Dy skuadrat janë përballur vetëm dy herë në sezonin 2012-2013 për fazën e grupeve ku Reali triumfoi 3-2 në Bernabeu, ndërsa në Angli ndeshja u mbyll në barazim 1-1. Për të gjashtin sezon rresht, ekipi spanjoll do ta luajë gjysmëfinalen e parë larg shtëpisë, ndërsa në 10 ndeshjet e luajtura kundër ekipeve spanjolle, Manchester City nuk ka pesuar gol vetëm në një rast.

Temat
BotëSport

Të afërta