Erdogan: BE-ja ka nevojë për Turqinë më shumë se sa Turqia për BE-në

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se Bashkimi Evropian ka nevojë për Turqinë më shumë se sa ka nevojë Ankaraja për bllokun.

Këtë ai e tha sot në një fjalim televiziv, kur po diskutonte raportin e progresit, për vitin 2015, të Parlamentit Evropian, i cili ishte shumë kritik për sundimin e ligjit në vendin e tij, raporton Yahoo News.

Komentet e tij vijnë në kohën e polemikave në Evropë për një marrëveshje mes Brukselit dhe Turqisë për të ndaluar rrjedhjen e emigrantëve nga Siria në territorin e BE-së.

“Bashkimi Evropian ka nevojë për Turqinë më shumë se sa Turqia për Bashkimin Evropian,” tha presidenti turk, duke e cilësuar raportin e Parlamentit Evropian, i cili akuzoi Ankaranë për rebelim në demokraci, si “provokues” .

Ai shtoi se raporti nuk e ka vlerësuar faktin që Turqia strehon rreth 2,7 milionë refugjatë nga Siria fqinje.

“Tre milionë njerëz janë kthyer në këtë vend që të mos shqetësojnë evropianët. A thuhet diçka për këtë në raport?”, tha Erdogani.

“Në një kohë kur marrëdhëniet tona me Bashkimin Evropian janë në një fazë pozitive, në lidhje me emigrantët … është provokuese që ajo të dalë me një raport të tillë,” shtoi ai./indeksonline/

Temat
BotëLajme

Të afërta