“Prokuroria nuk po i shqyrton rastet e deponuara nga VV”

Katër muaj pas dorëzimit të rreth 80 kallëzimeve penale në Prokurorinë Themelore në Prishtinë nga ana e zyrtarëve të Vetëvendosjes për aksionin e Policisë së Kosovës në selinë e kësaj partie më 28 nëntor të vitit të kaluar, nga institucionet e drejtësisë ende nuk është marrë asnjë veprim lidhur me këtë çështje.

Sami Kurteshi nga kjo lëvizjes, në një konferencë për media, ka thënë se gjyqësori i kryen me procedurë të përshpejtuar, disa raste të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, derisa tash e katër muaj nuk e ka shqyrtuar asnjë rast të deponuar nga VV.

“Sot më 18 prill janë bërë rrafsh katër muaj nga dita kur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë janë dorëzuar mbi 80 kallëzime penale kundër intervenimit policor të dhunshëm e brutal në selinë e VV-së më 28 nëntor të vitit të kaluar. Ky sulm i dhunshëm i njësive të specializuara të Policisë së Kosovës në selinë e VV-së, i cili është bërë pa ndonjë vendim të gjykatës, i cili ka qenë tërësisht i motivuar, i përgatitur dhe i dirigjuar politikisht drejtpërdrejtë nga kreu i Qeverisë së Kosovës dhe i zbatuar nga udhëheqja e kriminalizuar e Policisë së Kosovës në krye me drejtorin e përgjithshëm të PK-së, Shpend Maxhunin dhe ndihmësin e tij, Raif Qalën si dhe personave tjerë përgjegjës të PK-së”, ka thënë Kurteshi.

Sipas Kurteshit, gjatë bastisjes së selisë së VV-së më 28 nëntor të vitit të kaluar, kishte edhe shkelje të të drejtave të njeriut dhe vjedhje nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Sipas Kurteshit, deri më tani përveç ftesës së inspektoratit policor nga ana e gjykatës, asnjë veprim tjetër nuk është ndërmarrë në këtë drejtim. /kp/

Temat
LajmeVend

Të afërta