Meta: Kriza e refugjatëve kërkon zgjidhje evropiane

Meta ka theksuar se BE nuk duhet ta humbasë vëmendjen ndaj rajonit tonë

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ka marrë pjesë në Konferencën e Kryeparlamentareve të Iniciativës Adriatiko-Joniane në Split, ku ka thënë se kriza e refugjateve është problem evropian dhe Evropa nuk duhet të ngrejë mure.

Në njoftimin për mediat nga zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë, thuhet se në konferencë morën pjesë kryeparlamentarët e Shqipërisë, Kroacisë, Italisë, Greqisë, Sllovenisë, Malit të Zi dhe Bosnjes.

Kryetari i Kuvendit Meta, ndërsa ka folur për krizën e refugjateve që ka përfshirë Evropën, është shprehur se “Kriza e refugjateve është problem evropian, kërkon zgjidhje evropiane. Evropa nuk duhet të ngrejë mure dhe Shqipëria do bëjë pjesën e saj brenda mundësive në bashkëpunim me partnerët evropiane”.

 Po ashtu, Meta ka theksuar se “BE nuk duhet ta humbasë vëmendjen ndaj rajonit tonë. Avancimi i integrimit është garanci për sigurinë evropiane. Kriza kërkon koordinim evropian të strukturave të sigurisë dhe inteligjencës. Të mbrojmë hapësirën tonë, por duke mos prekur vlerat evropiane të solidaritetit”./telegrafi/
Temat
LajmeRajon

Të afërta