Biologji, kimi dhe… Religjion!

Para ca ditësh, vajza ime më tregoi se ka vendosur ta studiojë pedagogjinë. Kishte hamendje se me cilën grupmoshë të fëmijëve do punojë dhe me cilën lëndë. Nuk më habiti kur tha se është shumë e interesuar për lëndën mbi religjionet, pasi që gjatë tërë shkollimit të saj religjioni ka qenë lënda e saj e preferuar.

Menjëherë më shkoi mendja tek debati për këtë temë, i cili herë pas here shfaqet në shoqërinë tonë, përderisa në shkollat tona nuk mësohet për religjione.  Këtu më duhet të them diçka troç: nuk jam kundër futjes së lëndës mbi religjionet nëpër shkolla,  ashtu siç ndodhë në shumë vende të Europës. Megjithatë, kjo lëndë do duhej të kishte natyrë faktologjike, që trajton historinë e religjioneve dhe mënyrën e përhapjes së tyre. Krejt kjo duke mos përfshirë predikime religjioze nga klerikët fetarë. Kështu, nxënësit do të mësonin mbi të mirat dhe të këqijat e religjioneve, përgjatë historisë së njerëzimit.

Brenda kësaj lënde, të gjitha fetë duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të paanshme. Natyrisht, fokus mund të vihet mbi fetë abrahamike, pasi që këto janë të etabluara dhe kanë pasur më shumë ndikim në historinë e njerëzimit.

Për mësimdhënësit që do të merrnin përsipër mësimin e kësaj lënde, do të ishte sfidë e madhe të punojnë me fëmijë që shpeshherë janë të mësuar, madje edhe të indoktrinuar, nga familjet me bindje të caktuara fetare. Fëmijë që brenda shtëpive të tyre tashmë e kanë krijuar një botëkuptim religjioz mbi botën.

Do të ishte e domosdoshme që mësimdhënësit të aplikojnë një qasje shkencore në shpjegimin e fenomeneve natyrore dhe të mos imponojnë bindjet e tyre personale tek nxënësit. Punë e personelit pedagogjik do të duhej të ishte vetëm shpjegimi i paanshëm i secilit religjion, ashtu siç e përshkruajnë librat fetarë të religjioneve të caktuara, por jo edhe konfirmim i atyre shpjegimeve.

Vetëm në këtë mënyrë nxënësit do të mund të zhvillonin mendim kritik dhe të krijonin njohuri edhe mbi besimet tjera, duke mos e marrë besimin e tyre si të vetmin valid. Kjo mënyrë e të mësuarit mbi religjionet, nuk do të sillte konfuzion tek nxënësit, të cilët, në orët e shkencave natyrore i shpjegojnë fenomenet natyrore me qasje shkencore, kurse në orët mbi religjionin do të mësonin se si fenomeneve natyrore u janë dhënë shpjegime mbinatyrore. Ky konfuzion do të ishte i dëmshëm, sepse do të krijonte gjasa që nxënësit të zgjedhin të besojnë shpjegimet që për ta janë më të lehta, dhe nuk kërkojnë angazhim të lartë të trurit, siç kërkojnë shpjegimet shkencore.

Përpos aspekteve natyrore, religjioni historikisht ka qenë i implikuar thellë në historinë dhe kulturën kombëtare të vendit tonë. Nga pedagogët kërkohet ndjeshmëri kulturore në të mësuarit e këtyre rrethanave, por gjithnjë duke e shoqëruar me përmbajtje faktike. Ata duhet të kuptojnë që nxënësit, sidomos ata adoleshentë, tashmë mund të kenë krijuar bindjet e tyre mes kombit dhe fesë. Zbërthimi i këtij ndikimi të ndërsjellë duhet të bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të paanshme.

Qëllimi i edukimit është që nxënësit të zhvillojnë mënyra të menduarit racional dhe logjik. Si rrjedhojë, si të gjitha lëndët e tjera, edhe religjionet do të duhej të mësoheshin brenda kësaj kornize. Kjo është e mundur vetëm me pedagogë të paanshëm, të cilët në vend se të shtyjnë përpara bindje të caktuara, ndihmojnë në zhvillimin e mendimit kritik, duke përfshirë aspektet shkencore, njëlloj edhe efektet kulturore dhe politike të religjioneve në kombin tonë.

 

 

Temat
Opinione

Të afërta