Qeni policor “Crazy” për shtatë vjet shërbim zbuloi mbi pesë tonë drogë

Qeni nuhatës “Crazy” tashmë prej shtatë vitesh është në shërbim të policisë turke dhe deri tani ka marrë pjesë në shumë operacione në të cilat ka zbuluar pesë tonë drogë të fshehur, ndërsa njëherësh është edhe mik i pandarë i trajnuesit të tij, policit Ahmet Coskun, raporton Anadolu Agency.

Në një bisedë me gazetarin e AA-së, Coskun theksoi se qenin e tij e bleu prej një të afërmi para shtatë viteve derisa ishte tremuajsh dhe se ka bërë përpjekje të mëdha që prej një qeni gjerman, i destinuar që të jetë qen roje apo policie, ta shndërrojë në qen edhe për zbulimin e drogës.

“Tashmë prej shtatë vitesh për çdo ditë punojë me qenin tim të cilin e quaj ‘Crazy’ për shkak të natyrës energjike. Ka qenë shumë sakrifikuese, por kemi arritur të zhvillojmë shqisa të forta, gjë që dëshmojnë edhe operacionet e shumta të suksesshme policore në të cilat Crazy neve na ndihmon”, tha Coskun.

Duke theksuar se deri tani ka punuar në tre province turke në zbulimin e narko-trafikimit, Coskun tha se momentalisht shërben në drejtorinë policore në qytetin Osmaniye dhe se Crazy është i preferuar në mesin e policëve.

“Në Bingol, Van dhe Osmaniye kemi marrë pjesë në shumë operacione dhe Crazy ka kërkuar në lokacione, kamionë, automjete dhe objekte të shumta. Suksesin e fundit të madh e kemi pasur në janar të këtij viti kur Crazy në një automjet të braktisur zbuloi 201 kilogramë heroinë. Gjatë tre viteve të shërbimit në tre qytete, qeni im ka zbuluar më shumë se pesë tonë lëndë narkotike të llojeve të ndryshme”, tha Coskun. Duke theksuar se Crazy është bërë anëtarë i familjes së tij, Coskun tha se edhe bashkëshortja e tij ka kapërcyer frikën nga qentë.

20160411095924242646

Temat
Fun

Të afërta