Ndryshimet në Qeveri prekin vetëm tri pozita

Qeveria e Kosovës këtë javë do ta vërë në rend dite çështjen e ndryshimeve të cilat nuk do të ndodhin në shkallë të lartë, siç ishte paralajmëruar më herët.

Ndryshimet do të prekin vetëm tri pozita, shkruan sot Koha Ditore.

Zyrtarët në Ekzekutiv kanë refuzuar të flasin për këtë proces, por burime të gazetës kanë thënë të hënën se do të preken vetëm ato pozita që mbeten bosh pas largimit të Hashim Thaçit dhe se Kabineti Qeveritar nuk do t’i nënshtrohet riformatizimit.

Në fund të javës së shkuar Thaçi ka nisur mandatin e kreut të shtetit. Para se të ngjitet në majë të pushtetit, ai ka qenë zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme.

Një burim i gazetës në kabinetin e kryeministrit Isa Mustafa, ka thënë se moszëvendësimi i deritashëm ndërlidhet edhe me disa probleme brenda PDK-së që kanë të bëjnë me postin e kryediplomatit.

Temat
LajmeVend

Të afërta