Polici hero, kështu e evitoi një tragjedi që do t’i kushtonte Kosovës

“Pro Vita” është mbishkrimi në medaljen, të cilën polici i trafikut rrugor, Ferit Berisha, e ruan me krenari e mburrje. Ia rikujton një përvojë, sa trishtuese aq edhe mbresëlënëse. Ngjarjen ende e ka të freskët, prandaj nuk përton ta rrëfejë në detaje.

Afro dy vjet më parë, derisa ishte duke drejtuar komunikacionin në kryeqytet, kishte arritur që të evitonte një tragjedi, shkruan Koha Ditore.

Duke e vënë jetën në rrezik, Berisha kishte shpëtuar një fëmijë 6-7 vjeç nga goditja e veturës. Qindtat e sekondës kishin qenë në pyetje. Për këtë veprim ai nuk kishte menduar dy herë. As sot nuk do të mendonte dy herë.

Po t`i jepej mundësia, sërish thotë se do të vepronte njësoj, jo vetëm në këtë rast, po edhe në plot raste të tjera, kur i ka rënë që të intervenojë.

“Asgjë nuk mund të krahasohet me shpëtimin e një jete. Përpos veprim human, është edhe mision yni. Kushdo që ka pasur fatin të bëjë një veprim të tillë, me siguri se më kupton tani. Është një ndjenjë që vështirë se mund të përshkruhet. Të bën të mendosh më thellë për gjithçka. Sidomos kur janë në pyetje sekondat, të cilët do të mundë të ndryshonin përgjithmonë jetën e dikujt”, thotë Berisha.

Temat
LajmeVend

Të afërta