Dënohet me kusht i akuzuari, mori pazarin ditor nga sporteli i Postës së Kosovës

Gjykata Themelore në Gjakovë e ka dënuar me shtatë muaj burgim me kusht, të akuzuarin për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, Luan Kleçka. Mirëpo, dënimi me burgim ndaj...

Gjykata Themelore në Gjakovë e ka dënuar me shtatë muaj burgim me kusht, të akuzuarin për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, Luan Kleçka.

Mirëpo, dënimi me burgim ndaj tij, nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër të re penale brenda dy vjetësh.

Kleçka, nga kjo gjykatë është gjetur fajtor se në cilësinë e punëtorit të sigurimit nga sporteli i Postës së Kosovës, dega në Rahovec, kishte marrë zarfin me para në shumë prej rreth 500 eurosh.

Po ashtu, tashmë i dënuari Kleçka, është obliguar që të dëmtuarës, Postës së Kosovës, t’ia kompensoi shumën prej 465.17 euro, në afatin prej 30 ditësh, në të kundërtën dënimi i kushtëzuar do të shndërrohet në dënim me burg.

Megjithëse, në shqyrtimin fillestar, që ishte mbajtur më 29 shtator të këtij viti, i akuzuari Luan Kleçka, ishte deklaruar i pafajshëm për akuzën që i vihej në barrë, këtë të hënë, kur edhe është hapur shqyrtimi gjyqësor dhe para se të shpallej aktgjykimi ndaj tij, ai e ka pranuar fajësinë.

Pas leximit të aktakuzës, nga ana e prokurorit Ali Uka, i akuzuari Kleçka, ka deklaruar se e ka kuptuar aktakuzën dhe se e pranon fajësinë, duke thënë se veprimin e kishte ndërmarrë nën ndikimin e alkoolit, me ç’rast ka shprehur keqardhje dhe se zotohet se do të bëjë kompensimin e palës së dëmtuar.

Mbrojtësi i tij, avokati Ndrecë Dodaj, ka deklaruar se pas pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarit, ka kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, të ketë parasysh edhe kërkesën e prokurorit që si rrethanë lehtësuese të merret pranimi i fajësisë, pastaj gatishmëria e të pandehurit për kompensimin e dëmit të shkaktuar për palën e dëmtuar.

Këtë pranim të fajësisë nuk e ka kundërshtuar as prokurori Uka, i cili ka theksuar se ky pranim është bërë me vullnet të lirë dhe se e ka mbështetjen edhe në provat që gjenden në shkresat e lëndës.

Prokurori, i ka propozuar gjykatës që këtë pranim të fajësisë ta aprovojë dhe gjatë caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, të merren rrethana lehtësuese.

Përfaqësuesi i të dëmtuarës “Posta e Kosovës”, Ragip Hoxhaj, ka deklaruar se e mbështet në tërësi fjalën e prokurorit, i cili ka shtuar se mbetet pranë kërkesës pasurore-juridike.

Sipas aktakuzës, Luan Kleçka dyshohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Ai akuzohet se më 24 korrik 2017, rreth orës 22:30, duke qenë në cilësinë e punëtorit të sigurimit në PTK dega Rahovec, nga sporteli i punëtores së PTK-së, ka marrë një zarf me pazarin ditor në shumë prej 465.17 euro, dhe me ato para shkon në kazino duke i shfrytëzuar të hollat që gjendeshin në zarf.

Me këtë rast, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Temat
LajmeVend

Të afërta