Çfarë po ndodh, shtohet numri i plaçkitjeve të armatosura

Vetëm brenda një jave kanë ndodhur disa grabitje të njëpasnjëshme të institucioneve dhe bizneseve, në qytete të ndryshme të Kosovës. Të gjitha këto grabitje kanë ndodhur gjatë natës dhe kanë qenë kryesisht të armatosura.

Kryesisht janë grabitur arka me shuma të parave në vlerë deri në 1 mijë euro. Këto grabitjet kanë ndodhur në orare kur nuk ka pasur punëtorë në këto vende, ose në lokacione ku ka pasur punëtorë por jo edhe roje apo ndonjë mjet tjetër parandalues.

Tre persona të armatosur dhe të maskuar kanë grabitur rreth orës dy të natës një pikë derivatesh në qytetin e Vushtrrisë. Grabitësit, sipas informatave që posedon Gazeta Express, kanë marrë me vete arkën e “Slovenia petrol”, në të cilën kishte para në vlerë prej 800 eurosh.

Rastin e ka konfirmuar edhe Zyra për Informim e Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës.

“Sot rreth orës 02:30 ka ndodhur një grabitje në pompën ‘Slovenia petrol’ në Vushtrri. Rasti është cilësuar si grabitje e rëndë, ndërsa nuk ka asnjë të dyshimtë, sepse ende jemi në hetimet fillestare”, kanë thënë ata për Gazetën Express.

Vetëm tre ditë më parë, në Prishtinë, rreth orës 18:00 është grabitur filiali i Postës dhe Telekomit të Kosovës në lagjen “Tre Sheshirat” në Prishtinë.

Policia e Kosovës është duke e hetuar rastin, ndërsa dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se grabitja ka ndodhur në mënyrë të armatosur, me ç’rast kanë grabitur rreth 450 euro.

Ndërkohë, me 7 nëntor në Prishtinë janë vjedhur zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje. Aty janë marrë dy laptopë dhe 800 euro. Rasti, nga Policia e Kosovës është cilësuar si vjedhje e rëndë.

Në mesnatën e së shtunës së 6 nëntorit katër persona të maskuar kanë kryer një vjedhje në pikën e kompanisë “Pastrimi” në rrugën “Tahir Zajmi” të Prishtinës.

Nga kjo pikë ata kanë vjedhur dy arka, njëra me dokumente e cila gjendej në zyrën e drejtorit të kësaj kompanie Feim Salihut, si dhe një tjetër të arkëtarit në të cilën kanë qenë afro 1 mijë euro para të gatshme. / Gazeta Express

Temat
LajmeVend

Të afërta