Kapitalizmin në Kosovë po e ndërton kulti i politikës, e jo sensi i biznesmenit

shkruan: Fadil Maloku, sociolog

Shoqëria kosovare si një shoqëri akoma tipike e transicionit, duke qenë e hendikepuar me faktin e mungesës së një lloj tradite sado kudo të vogël dhe të natyrshme në ndërtimin e raporteve kapitaliste, pra raporteve dhe logjikave të pamëshirshme tipike konkurruese përmes të cilave pa dyshim do të profilizoheshin, si: shtresat e ndryshme sociale ashtu edhe elitat e reja politike, ato ekonomike, kulturore e sociale.

Shoqëria kosovare, duke qenë e privuar nga ky rrugëtim i natyrshëm i ndërtimit të kapaciteteve dhe institucioneve demokratike shkaku i fenomenit të“katapultimit” të saj nga një shoqëri tipike postsocialiste(bile edhe fisnore!) në një shoqëri të re demokratike, kujtoj është interesant për çdo eksplorues social të bëjë krahasimet e duhura sociologjike, në mënyrë që të kuptojë si specifikat ashtu edhe përvojën (nëse dëshmohen si të tilla) e ndërtimit të këtyre raporteve deri tani të panjohura.

Në shkrimet e mëhershme kam theksuar se rrugëtimi i Kosovës në ndërtimin e një kapitalizmi identik me vendet e tjera që tradicionalisht kanë kultivuar një tip të natyrshëm të këtyre raporteve ka dështuar…

Dhe se ajo çfarë është duke ndodhur në Kosovë ka të bëjë me një lloj kapitalizmi grabitqar…i cili pamëshirshëm po e rrit dhe zbulon veten e vet përmes ushtrimit të monopolit në politikë dhe gllabërimit të sferave të tjera të jetës ekonomike, në vend që të krijojë parakushte ligjore e ekonomike për një shtresëzim të natyrshëm social që do të duhej të kultivohej sipas logjikës së një konkurrence lojale me rregulla strikte të arritura përmes një konsensusi të gjatë dhe maratonik midis botës së biznesit dhe shtetit si rregullator i këtyre raporteve.

Bartësit e këtij lloji të kapitalizmit të vrazhdë dhe pa dyshim joproduktivë për gjithë shoqërinë kosovare, në fakt janë jo biznesmenët e ngritur në bazë të konditave dhe parametrave ekonomikë, por politikanët e rekrutuar përmes ushtrimit të fuqisë që u mundësoi aparati shtetëror dhe mekanizmat e ndryshëm institucionalë që për imperativ ekskluziv e kanë pasurimin brenda natës përmes shitjes së pasurisë shtetërore…

Temat
Opinione

Të afërta