OBSH-ja ia shfuqizon Robert Mugabes rolin e Ambasadorit të Vullnetit të Mirë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shfuqizuar emërimin e presidentit të Zimbabvesë, Robert Mugabes, si Ambasador të Vullnetit të Mirë të OBSH-së, pas reagimeve të ashpra dhe të mëdha kundër emërimit të tij.

“I kam dëgjuar me kujdes të gjithë ata që i kanë shprehur shqetësimet”, ka thënë shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një komunikatë, transmeton Express.

“Gjatë disa ditëve të fundit, kam reflektuar në vendimin tim për ta emëruar presidentin Robert Mugabe si Ambasador të Vullnetit të Mirë të OBSH-së në Afrikë. Si rezultat, kam vendosur ta shfuqizoj emërimin e tij”, ka shtuar ai.

Në të kaluarën, ai e kishte lavdëruar Zimbabvenë për përkushtimin ndaj shëndetit publik.

Por, kritikët kanë theksuar se sistemi mjekësor i Zimbabvesë është rrënuar nën udhëheqjen 30-vjeçare të Mugabes.

Zimbabveja përballet me mungesë të medikamenteve dhe Mugabe, i cili e ka tejkaluar për tri dekada jetëgjatësinë mesatare në vendin e tij, udhëton jashtë vendit për trajtime mjekësore.

Temat
BotëLajme

Të afërta