Rama reagon për herë të parë për bandën e Habilajve

Kryeministri Edi Rama ka përgëzuar policinë për mega-operacionin e zhvilluar në Vlorë që çoi në zbulimin e bazës ku Moisi Habilaj dhe banda e tij strehonin lëndën narkotike.

Po ashtu Rama përshëndeti vendimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako që shkarkoi gjithë drejtuesit në Policinë e Elbasanit pas dështimit të tyre për të ndërhyrë në incidentin e ndodhur në këtë qytet më 18 shtator. Në një përgjigje për akuzat e liderit demokrat Lulzim Basha, Rama thotë në një postim në rrjetin social Facebook, se qeveria do të vazhdojë të godasë rrjetet kriminale.

‪”Përshëndes shkarkimin e gjithë zinxhirit të komandës policore në Elbasan. Kush është përzier me çorbën e krimit, po edhe kush s’ka kurajo të përballet sy për sy e dhëmb për dhëmb me të, s’ka vend nën uniformën e dëshmorëve të Policisë së Shtetit.

E turpshme përpjekja e Frontit të Çorbës së Vjetër për të baltosur Policinë e Shtetit për operacionin e suksesshëm mbrëmë në Vlorë, si pjesë e luftës ndaj rrjetit kriminal të heronjve të kazanit politik e mediatik të 48 orëve të fundit. Policia e Shtetit po bën të gjithë gjërat e duhura dhe çdo drejtues e punonjës policie, duhet të vazhdojë të bëjë përditë këtë që po bën qysh prej nisjes së kësaj faze të re të luftës me krimin, pas pastrimit të Shqipërisë nga kanabisi”, shkruan Rama. Ky reagim vjen pasi Prokuroria tha se operacioni u zhvillua pas hetimeve disa mujore nga Krimet e Rènda në bashkbpunim me autoritetet ndërkombëtare dhe shërbimet inteligjente, pa përmendur policinë, e cila në media dhe nga opozita u tha se u shmang dhe u njoftua vetëm në moment të fundit.

Rama flet për paraardhësit e tij në qeveri, duke e përshkruar atë kohë si “çerekshekulli rrumpallë i bashkëjetesës harmonike të pushtetit me llumin”.

‪”Ta harrojnë se do të na ndalin dot në këtë luftë, të gjithë ata që vazhdojnë t’i marrin shqiptarët për budallenj dhe që synojnë bllokimin e rrugës sonë për Shqipërinë që duam – me shtet, punë, mirëqenie. Me mandatin e 25 qershorit, ne do t’i bëjmë jo vetëm rrjeteve kriminale, po edhe korrupsionit në tërësi, atë që asnjë nga këta që hidhen sot përpjetë në kazanin e politikës e të medias, s’ka guxuar as ta mendojë, në çerekshekulli rrumpallë e bashkëjetesë harmonike të pushtetit me llumin, ku ky vend mbeti pa shtet, pa ligj, pa drejtësi. ‪Këtu jemi dhe do të shohim. Ditë për ditë”, shprehet Rama

Në reagimin e tij që i ka vënë titullin “ta harrojnë se do të na ndalin”, Rama nuk thotë asnjë fjalë për akuzën e rëndë që lideri demokrat Lulzim Basha i bëri kur tha se ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka përgjime që e përfshijnë Ramën në klanet mafioze. Tahiri është vënë në qendër të sulmit tashmë pasi emri i tij ka dalë në dosjen e prokurorisë italiane për grupin e Moisi Habilajt, kushëri i largët me Saimir Tahirin dhe që është arrestua rnë shtetin fqinj si kreu i bandës së trafikut të drogës.

Mbrëmë në Vlorë ndërkohë policia sekuestroi rreth 4 ton kanabis në një banesë në Babicë, në pronësi të mikut të tij Armando Koçerrit i cili u vu në pranga. Ndërsa atje policia gjeti edhe një gomone që Moisi Habilaj e kishte me prokurë përdorimi, si dhe armatime.

Temat
LajmeRajon

Të afërta