Agim Çeku flet për rënien në postin e zëvendësministrit: Nuk i refuzoj detyrat, kjo është jeta

Ka pasur pozita tejet të rëndësishme shtetërore. Nga një ish-komandant dhe gjeneral i UÇK-së, Agim Çeku hoqi uniformën e komandantit të TMK-së për të marrë udhëheqjen e ekzekutivit në vitin 2006, duke u bërë kështu kryeministri i katërt i Kosovës së pasluftës. Më pas mori edhe pozitën e ministrit të FSK-së, kandidoi për PDK’në në Prishtinë derisa hiç më larg se të martën, ai u emërua zëvendësministër në ministrinë që dikur e drejtoi. Por, a e sheh këtë emërim si një rënie në karrierën e tij, Agim Çeku, tregon në një intervistë për gazetën Express.

Express: Z. Çeku, ju keni qenë në pozitat më të larta shtetërore në vend, ndërkaq aktualisht jeni emëruar zëvendësministër i FSK-së. Si e vlerësoni këtë pozitë?

Agim Çeku: Unë asnjëherë nuk e kam refuzuar asnjë detyrë që më është ofruar dhe asnjëherë nuk e kam kërkuar asnjë detyrë për vete, thjesht m’u kanë ofruar detyrat në kohën e duhur që dikush ka menduar se mund t’i kryej më së miri, ashtu e pranoj edhe këtë detyrë. Nuk preokupohem fare me atë që kanë qenë detyra më të larta, thjesht dikush mendon se unë mundem me qenë i dobishëm në këtë kohë në atë vend dhe unë jam i kënaqur vetëm për faktin që mundem të kontriuboj diçka për të mirë.

Express: Emërimi si zv/ministër po shihet si hap mbrapa i juaji në karrierë, pasi keni qenë kryeministër e edhe ministër. A mendoni se do të duhej të ndodhte e kundërta, që ju të emëroheshit në pozita më të larta?

Agim Çeku: Nuk e shoh fare në këtë mënyrë. Jeta në përgjithësi i ka edhe ngritjet dhe rëniet e veta, baticat e zbaticat dhe kjo është jeta.

Express: Cili është roli juaj në këtë Ministri, pasi kjo fushë është e njohur për ju?

Agim Çeku: Në fakt, unë po kthehem në shtëpinë time dhe aty ndjehem më së miri, në mesin e ushtarëve. Mendoj dhe pretendoj që e njoh mirë këtë dhe mund të jem i dobishëm për ministrin që të jem krahë tij dhe ta ndihmoj që t’i çojë proceset përpara. E dimë që FSK-ja është në pritje të një sfide të madhe dhe mund të kontribuoj në zgjidhjen e këtyre problemeve dhe pengesave të FSK-së.

Express: Presidenti Thaçi ka deklaruar se ushtria do të themelohet në fund të këtij viti, sa janë gjasat që kjo të ndodhë?

Agim Çeku: Kjo është në dorën e Kryeministrit dhe të Presidentit, ne si ministri, në radhë të parë ministri, por edhe unë si zëvendësministër, do të mundohemi që t’u ndihmojmë atyre që t’i tejkalojmë pengesat që janë paraqitur në rrugën tonë drejt transformimit të FSK-së në ushtri. Ne nuk e kemi rolin udhëheqës, e ka kryeministri dhe presidenti, kurse ministria i kryen detyrat e veta që ta ndihmojë dhe ta lehtësojë këtë proces.

Express: Besoni se do ta keni edhe mbështetjen e Listës Serbe, apo transformimi i FSK-së në Ushtri do të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese?

Agim Çeku: Ne besojmë dhe jemi në pritje. Besoj që po të mos shpresonim, ne do të kishim proceduar me ligjin, por unë mendoj që ka gjasa, pasi ata janë pjesë e Qeverisë së Kosovës dhe duhet të punojnë edhe për interesin e Kosovës.

Express: Çështja e Gjykatës Speciale u riaktualizua nga disa deklarata të bëra të hënën nga Presidenti Thaçi. Ju keni qenë pro krijimit të Speciales, por a mendoni ende se përmes kësaj gjykate, lufta e UÇK-së do të pastrohet nga akuzat?

Agim Çeku: Unë mendoj që edhe në jetën e përditshme dikush akuzon diçka dhe për këtë duhet që rasti të paraqitet në mënyrë që të vërtetohet nëse është ashtu. Ne jemi të bindur se e drejta dhe e vërteta është në anën tonë, mendoj se ashtu edhe do të dalë epilogu i kësaj dhe do ta vërtetojë pikërisht këtë. Ne presim drejtësi nga kjo gjykatë.

Temat
LajmeVend

Të afërta