Gjermania kthen azilkërkuesit

Gjermania është e vendosur t’i dërgojë azilkërkuesit në Greqi, edhe pse qendrat e pritjes atje janë të mbipopulluara dhe ka vonesa në procesimin e kërkesave.

Në bazë të një vendimi të vitit 2011 nga Gjykata Kushtetuese, Gjermania i kishte pezulluar të tilla rikthime, por në Konventën e Dublinit të Bashkimit Europian thuhet se një kërkesë për azil duhet procesuar në vendin e BE ku emigranti ka hyrë për herë të parë.

Ministri grek i emigracionit Ioannis Mouzalas tha se vendi kishte rënë dakord për pranimin e disa azilkërkuesve në shenjë të vullnetit të mirë, teksa ka pasur presion nga disa anëtarë të BE-së për të vepruar kështu.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm gjerman u shpreh për mediat vendase se në fund të korrikut, i ishte kërkuar Greqisë të rimerrte 392 azilkërkues. Sipas raportit, transfertat në Greqi do të prekin vetëm emigrantët që kanë mbërritur në Gjermani në mes të marsit 2017, raporton Ora News.

Në periudhën 2015-2016, Gjermania pranoi më shumë se 800,000 emigrantë dhe refugjatë, shumë prej të cilëve ishin larguar nga luftërat në Afganistan, Irak dhe Siri.

Në atë kohë, Greqia e cila haste në vështirësi për shkak të krizës financiare, u ankua se nuk mund të përballonte të ardhurit që zbarkonin në vend nga Turqia.

Kushtet mbeten të vështira në shumë nga qendrat greke të pritjes dhe ka pasur protesta nga emigrantët e zemëruar me vonesat burokratike.

Temat
BotëLajme

Të afërta