Mustafa i quan kontrabandistë e matrapazë dy ndihmësit e PAN’it për sigurimin e votave

Isa Mustafa nuk ka pasur guxim të përmend emrin e Dardan Gashit e Astrit Haraqisë, por ka thënë se dy matrapazë e kontrabandistë po e ndihmojnë PAN’in për t’i siguruar numrat. Ka thënë se të tillët do të duhej nëse e donë LDK’në të angazhohen që kjo parti të udhëheqë me Qeverinë. Kreu i LDK’së ka shtuar se kushdo që është me matrapazët nuk do të jetë në LDK.

Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, ka vazhduar të shprehet i nervozuar se pse koalicioni parazgjedhor, PAN, ka siguruar votat në partinë e tij, për ta bërë Haradinajn Kryeministër.

Në fakt, Mustafa ka përdorë gjuhë fyese ndaj dy ish-zyrtarëve të LDK’së, emrat e të cilëve s’i ka përmendur, Astrit Haraqija e Dardan Gashi, se janë shndërruar në kontrabandistë e matrapazë të PAN’it.

Ka thënë se ata janë kontraktuar nga dikush për t’i siguruar votat për formimin e Qeverisë së udhëhequr prej PDK’së e paketuar prej AAK’së.

“Matrapazët e kontraktuar po donë me ia shitë opinionit Qeverinë e PAN-it, në paketimin e AAK-së dhe të miqve të Ibrahim Rugovës. Do të jetë i mjerë ai shtet, ajo qeveri, ajo parti dhe ajo derë që lejon që dy matrapazë t’ia bëjnë politikat, të kontrabandojnë votat dhe të flasin për rugovizmin dhe rugovistët”, ka shkruar Mustafa, pa përmendur emrat e Gashit e Haraqisë, të cilët dolën publikisht se kanë ndihmuar në arritjen e marrëveshjes së AAK’së me Teuta Rugovën për të votuar Haradinajn Kryeministër.

Ramush Haradinaj, të premten, shkoi në shtëpinë e ish-Presidentit Rugova, nga ku u konfirmua se Tauta Rugova e dëshiron dhe do të votojë liderin e AAK’së për Shef të Qeverisë. Teuta, kishte argumentuar, se një dëshirë të tillë e kishte pasur Rugova sa ishte gjallë dhe do ta kishte të njëjtën edhe tash po që se do të ishte udhëheqës i LDK’së.

Isa Mustafa ka thënë se edhe të tillët në LDK që përkrahin Haradinajn për Shef të Qeverisë janë matrapazë.

“Matrapazët i shkelin të gjitha vlerat morale dhe etike, por ata LDK-ja i qet si trup të huaj. Prandaj është e qartë, ata që janë me matrapazët nuk janë me LDK-në”, ka shtuar Mustafa, në një reagim në FB.

Ai ka kërkuar nga zyrtarët dhe ish-zyrtarët e LDK’së të angazhohen që këtë parti ta bëjnë udhëheqëse të Qeverisë dhe jo ta bëjnë të kundërtën.

“Nëse të tillëve u ka mbetur aq shumë për Rugovën dhe rugovizmin e për LDK-në, pse nuk angazhohen që LDK-ja ta themelojë qeverinë. Ose së paku, pasi qenkan aq të brengosur se vendi duhet të bëjë institucionet, le ta bëjnë Qeverinë ata që nuk e patën asnjë vështirësi të bëhen bashkë për ti shpallur mosbesim qeverisë së drejtuar nga LDK-ja.

Kryetari i LDK’së ka lëshuar akuza edhe në drejtim të zyrtarëve tjerë të partisë për të cilët ka thënë se po bëhen manipulues e kalkulantë kur po thonë se do të dalin në rrugë nëse edhe për herë të dytë mandatohet PAN’i për formimin e Qeverisë.

“Manipulues dhe kalkulatntë të llojit të vet i konsideroj edhe ata individ të LDK-së që kërcënojnë se do të dalin në rrugë nëse mandati nuk i jepet një partie tjetër, e të cilët kurrë nuk e bënë ndonjë deklaratë të tillë për rastin nëse nuk do ti jepej mandati LDK-së, ose kur njerëzit e LDK-së sulmoheshin dhe atakoheshin në mënyrën më shtazarake”, ka shtuar ai.

Isa Mustafa po vazhdon të mbetet Kryetar i LDK’së anipse këtë parti e ka dërguar në vend të tretë dhe e ka udhëhequr në tri humbje të njëpasnjëshme.

Mustafa me LDK’në ka humbur tri palë zgjedhje nacionale dhe po ashtu e ka humbur qytetin më të rëndësishëm në Kosovë.

Në mandatin e kaluar, kishte thënë me qindra herë se nuk bën koalicion me PDK’në e SHIK’un, ndërsa, në fund e kishte votuar Kadri Veselin për Kryetar të Parlamentit dhe Hashim Thaçin për President në këmbim të pozitës së Kryeministrit.

Edhe tash, Mustafa, po thotë se nuk bën më koalicion me PDK’në.

“Si kryetar i Koalicionit LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi deri më sot nuk kam pasur asnjë kërkesë nga ndërkombëtarët për të bërë koalicion qeverisës, qoftë me PAN apo VV. Por edhe nëse do të kem, do ta refuzoj me arsye të plotë çdo kërkesë për të bërë marrëveshje qeverisëse me koalicionin që drejtohet nga PDK-ja. Këtë ua kam bërë të njohur përfaqësuesve të BE-së dhe të SHBA-së me kohë, para se të votohet mocioni i mosbesimit”, ka shtuar ai.

Temat
LajmeVend

Të afërta