(Minus) 1353 kuti, ja ngjyrat politike të parlamentit të ri të Shqipërisë

Në Shqipëri është duke vijuar numërimi i votave që shqiptarët hodhën në kuti të djelën për të zgjedhur ligjvënësit e rinj.

Prej orës 20:00 të mbrëmjes të së dielës që përfundoi votimi, deri më tani janë numëruar në të gjithë vendin, 4009 kuti nga 5362 që janë në total në rang kombëtar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke paraqitur në kohë reale rezultatet, kur deri më tani Partia Socialiste rezulton forcë e parë me 48.23 % të votave, ose 421.893 vota. Përkthyer në mandate deputetësh, sipas KQZ-së, PS merr 73 karrige në Kuvendin e Shqipërisë. Pas saj vjen Partia Demokratike me 29.01 %, ose 336.883 vota.

Për demokratët edhe pse mbeten forcë e dytë politike në rang vendi, është pësuar rënie e dukshme sa i përket një krahasimi me vitin 2013. Përkthyer në mandate, PD merr 44 deputetë. Më tej, me 14.31 % të votave, është Lëvizja Socialiste për Integrim, tashmë e drejtuar nga Petrit Vasili pas zgjedhjes së Ilir Metës President të Republikës.

Me 166.149 votat e marra deri më tani, LSI siguron 18 mandate. Forcë e katërt politike nga numërimi i deritanishëm i kutive të votimit, kur kanë mbetur edhe 1353 të tillë, forcë e katërt politike është PDIU, partia e çamëve e drejtuar nga Shpëtim Idrizi.

Ajo siguron 4 mandate me 57.953 vota, ose 4.99 % të totalit të votave. Mandatin e fundit, që plotëson 140 vendet e Parlamentit shqiptar, nga numërimi i deritanishëm e merr Partia Social Demokrate, e Skënder Gjinushit.

Edhe pse kryesohet nga Gjinushi, mandatin e deputetit e ka siguruar në Shkodër Tom Doshi, ish socialist që këto zgjedhje u fut në listën e PSD-së.

Nga 18 parti që garuan në këto zgjedhje, numri më i vogël i partive në vitet e fundit të demokracisë, vetëm 5 prej tyre kanë arritur të sigurojnë mandat. Por megjithatë, ka edhe parti që do të kenë përfaqësues të tyre në parlament, për shkak se kanë kandiduar në listat e partive të mëdha, siç është rasti i Partisë Republikane e Mediut, LZHK e Dashamir Shehit dhe PBDNJ e Dules, që mund të sigurojnë nga një mandat.

/Gazeta Express/

Temat
LajmeRajon

Të afërta