BE pret që ura e Ibrit të inaugurohet së shpejti

Bashkimi Evropian pret që shumë shpejt të inaugurohet ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Punimet në pjesën jugore janë duke vazhduar sipas planit, thonë në Zyrën e këtij misioni në Kosovë.

“BE pret që të përfundohen dhe inaugurohen dy projektet së shpejti”, thuhet në përgjigjen e BE-së përmes postës elektronike, për Ekonomia Online.

Punimet në pjesën veriore janë ndërprerë me urdhër të kryetarit Goran Rakiq.

Revitalizimi i urës së Ibrit financohet nga BE, ndërsa punimet në sheshin “Kralj Petar” në veri financohen nga komuna veriore.

Punimet janë duke u kryer nga dy kompani “Sintek doo” nga Maqedonia dhe “King ShPK” nga Kosova. I gjithë projekti do të kushtojë 1.45 milion euro.

Revitalizimi i urës është paraparë në bazë të marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës e Serbisë.

Ura e Ibrit ishte planifikuar të hapet për qarkullim në qershor të 2016, por u shtye në janar të vitit të këtij viti.

Por as në janar nuk ndodhi përurimi i projektit pasiqë në pjesën veriore u ndërtua një mur që pamundësohte qarkullimin në ata pjesë.

Mirëpo pas intervenimit të BE-së muri u zvogëlua, por nuk u hoq përfundimisht. /EO/

Temat
LajmeVend

Të afërta