OKB: Civilët në Mosul janë në rrezik ekstrem nga ISIS

Civilët janë duke u goditur më së keqi derisa ofensiva e Ushtrisë së Irakut në Mosul futet në fazën përfundimtare, ka thënë koordinatorja e OKB-së për ndihma humanitare, Lise Grande.

Grande ka thënë për BBC se banorët në Mosul janë në rrezik të madh pasi që i ashtuquajturi Shtet Islamik (ISIS) është duke i goditur familjet drejtpërdrejt, transmeton Express.

Shumë civilë ndodhen në këtë qytet irakian dhe tashmë po përballen me mungesa të mëdha të ujit dhe rrymës.

Forcat irakiane thonë se kanë avancuar edhe më shumë pas një sulmi të ri ndaj ISIS-it në këtë qytet.

Qindra mijëra civilë kanë ikur nga qyteti verior qëkur ka nisur ofensiva për ta rimarrë kontrollin tetorin e vitit të kaluar.

Sipas Grande pjesa tjetër e sulmit do të jetë më e vështira.

“Civilët do të jenë në rrezik ekstrem,” ka thënë ajo.

“E dimë që ISIS është duke i sulmuar familjet drejtpërdrejt, të cilat tentojnë të ikin. E dimë po ashtu që rezervat e ushqimit dhe medikamenteve janë të kufizuara,” ka thënë ajo./Express/

Temat
BotëLajme

Të afërta