Haradinaj: Kosovës i janë grumbulluar punët, s’kemi kohë për të humbur

I nominuari për kryeministër të Kosovës nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova është vendi që ka më së paku kohë në botë.

Në një tubim të organizuar nga gratë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, që Haradinaj e udhëheq, ai ka thënë se vendi më s’mund të vazhdojë me qasjen dhe logjikën se “kemi kohë”.

“Nëse vazhdojmë me një qasje, me një logjikë se kemi kohë… vendi që ka më së paku kohë në botë është Kosova”, ka thënë Haradinaj.

“Nëse qeverisja mendon se ka kohë… më besoni nuk ka vend në botë që ka më pak kohë se ne”, është shprehur ai.

“Aq shumë janë grumbulluar punët e Kosovës, e problemet, e temat e pazgjidhura, saqë vërtetë s’kemi kohë”, ka deklaruar Haradinaj, raporton Gazeta Express.

Ai ka thënë se Kosova nuk e ka luksin e një qeverisjeje të ngadalshme.

“Nuk e kemi luksin e qeverisjes së ngadalshme, të avashtë, edhe të mburrjes se jemi këta apo ata”, është shprehur ai.

“Kush e kryen mandatin dhe vazhdon të thotë se jemi të kënaqur, është marre”, ka thënë Haradinaj. /Express/

Temat
LajmeVend

Të afërta