Zyra e BE’së reagon ashpër, kundërshton ndryshimet e propozuara në Kodin Penal

Zyra e BE’së në Kosovë kanë deklaruar se ndryshimet e propozuara në Kodin Penal janë në kundërshtim me trendet ndërkombëtare të shfuqizimit të ligjeve penale të shpifjes. Në njoftim thuhet se janë të brengosur në lidhje me synimin e autoriteteve të Kosovës për ta ndryshuar e plotësuar Kodin Penal me dispozitat e reja për shpifjen dhe fyerjen.

Përmes një deklarate, Zyra e BE’së/Përfaqësuesit Special të BE’së në lidhje me ndryshimet e mundshme në Kodin Penal të Kosovës, janë shprehur të brengosur në lidhje me synimin e autoriteteve për ta ndryshuar e plotësuar Kodin Penal me dispozitat e reja për shpifjen dhe fyerjen.

“Kjo është në kundërshtim me trendet ndërkombëtare të shfuqizimit të ligjeve penale të shpifjes. Një numër shtetesh anëtare apo anëtare potenciale të BE-së, duke përfshirë Kosovën, tashmë kanë hequr kriminalizimin e shpifjes dhe fyerjes, ndërsa vendet tjera kanë bërë hapa të rëndësishëm në të njëjtin drejtim”, thuhet në komunikatën për media.

Zyra e BE’së thotë se dekriminalizimi i shpifjes dhe fyerjes në Kosovë është raportuar si përparim në Raportin e Komisionit Evropian më 2013. “Legjislacioni civil në Kosovë ofron masa të mjaftueshme në lidhje me shpifjet dhe fyerjet”.

“BE-ja në Kosovë i bën thirrje autoriteteve të Kosovës që të vazhdojnë respektimin e parimeve ekzistuese të garantimit të lirisë së shprehjes, të përligjur në Kushtetutën e Kosovës, e cila është përafruar me standardet më të larta evropiane”, thuhet tutje në njoftim.

Temat
BotëLajmeVend

Të afërta