Veseli në Vjenë: Provokimet e fundit i bëjnë dëm më së shumti Serbisë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, u është adresuar sot përfaqësuesve të shumtë nga shtete të ndryshme të Evropës e më gjerë, të mbledhur në Vjenë, në Konferencën “Com-sult”, në të cilën po diskutohet për të ardhmen e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e tij, kryeparlamentari Veseli bëri një përshkrim të së kaluarës së dhimbshme të popujve të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht në ish-Jugosllavi, në të cilën, tranzicioni demokratik u la mënjanë dhe në vend të tij u shfaqën hasmëritë dhe urrejtja ndëretnike, për pasojë të të cilave qindra-mijëra civilë të pafajshëm humbën jetën, mes tyre edhe mijëra shqiptarë, ndërsa vendet u kthyen në gërmadha dhe shoqëritë, bashkë me ekonomitë, e tyre u shkatërruan.

Veseli tha se pas luftërave të tmerrshme, shekulli i ri në Ballkanin Perëndimor nisi me një shpresë të re, por me vështirësi në tranzicion, deri më 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë e saj.

“Në këto pak vite të ekzistencës së tij, shteti i Kosovës ka shënuar hapa historikë në konsolidimin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Deri më tash, 113 shtete e kanë njohur Republikën e Kosovës. Jemi bërë pjesë e një sërë iniciativash dhe mekanizmash ndërkombëtarë. Të rinjtë e Kosovës, edhe pse më të izoluarit në Evropë, janë duke shkëlqyer në garat sportive ndërkombëtare, në muzikë dhe inovacion”, tha kryeparlamentari Veseli.

Ai, po ashtu, pohoi se pavarësia e Kosovës e ka bërë më të qëndrueshëm stabilitetin dhe paqen në rajonin e Ballkanit.

“Sot, ne mund të ndihemi mirë, sepse të gjitha vendet tona kanë vizion të përbashkët për të qenë pjesë e familjes së demokracive evropiane. Aty-këtu dëgjojmë zëra të forcave antidemokratike që flasin për orientime të tjera strategjike, për aleanca të reja, por jam i bindur se këto forca nuk do të mundë ta rivalizojnë vizionin euroatlantik, i cili, para së gjithash, ka mbështetjen e plotë të qytetarëve dhe shoqërive ballkanike. Megjithëkëtë, nuk duhet që të injorohen këto forca”, theksoi Veseli.

Duke folur për sfidat e vendeve të Ballkanit dhe nevojën e mbështetjes nga Bashkimi Evropian, kryeparlamentari Veseli ka përmendur edhe angazhimin e Kosovës për fqinjësi të mirë dhe dialog.

Ai tha se institucionet e Kosovës janë të angazhuara në procesin e dialogut me Serbinë, në mënyrë që marrëdhëniet midis dy shteteve fillimisht të normalizohen, si hap i parë drejt procesit të njohjes reciproke si dy shtete të pavarura, që ndajnë të njëjtën aspiratë për të qenë pjesë e BE-së.

Por, Veseli e cilësoi brengosës faktin se shpeshherë në Beograd ka një shpërthim të zellit nacionalist për të penguar shtetin e Kosovës dhe integrimin euro-atlantik të tij.

“Provokimet e fundit të Serbisë, si aktualizimi i fletarresteve të kohës së Millosheviqit për ish pjesëtarët e UÇK-së, përpjekjet për të ndërtuar mure ndarëse në veriun e Mitrovicës, lëshimi i trenave ilegalë që duan të futen në Kosovë pavarësisht ligjeve të vendit, janë pasojë e këtij zelli, që ne konsiderojmë se në fund të fundit do t’i bëjë dëm më së shumti vetë Serbisë dhe qytetarëve të saj”, tha kryeparlamentari Veseli.

Ai shtoi se Republika e Kosovës përbën një realitet gjeopolitik të pakthyeshëm. Sipas tij, shumëçka mund të ndodhë në Ballkan, por në asnjë mënyrë kthimi i të së kaluarës.

“Ne i kuptojmë vështirësitë e Serbisë për t’u çliruar nga trashëgimia e së kaluarës, por fqinji ynë verior duhet ta kuptojë se nuk mund të bëhet pjesë e BE-së duke penguar fqinjët e tij që ta bëjnë të njëjtën gjë. Unë besoj se në muajt dhe vitet në vazhdim do të ecim të gjithë së bashku në këtë drejtim, që një ditë paqja e brishtë ballkanike të fitojë epitetin e asaj që quhet paqe demokratike mes kombeve. Por, është e domosdoshme që BE-ja të qartësojë parimin e barazisë së të gjitha shteteve të rajonit në perspektivën integruese”, tha kryeparlamentari Veseli.

Fjalimi i plotë i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli në Konferencën ndërkombëtare “Com-sult”, në Vjenë:

Të nderuar të pranishëm
Zonja dhe zotërinj.
Ndihem i nderuar që sot kam mundësinë të flas në këtë forum të rëndësishëm për perspektivën evropiane të Ballkanit perëndimor.
Falenderoj organizatorët e këtij takimi për ndihmën që janë duke dhënë që vendet tona të ecin më shpejt në rrugën e tyre të integrimeve evro-atlantike.

Vetëm 18 vite më herët Ballkani perëndimor kishte dalë nga një periudhë e errët e konflikteve të përgjakshme ndëretnike. Derisa vendet tjera të Evropës lindore dhe qendrore po bënin kapërcimin historik nga sistemi i dështuar komunist, në ekonominë e tregut të lirë dhe demokracisë liberale, në ish Jugosllavi tranizioni demokraik u la me një anë dhe në vend të tij u shfaqen hasmëritë e vjetra dhe urrejtja ndëretnike. Pasojat i dijmë të gjithë. Mijëra e mijëra jetë njerëzish të pafajshëm humbën jetën. Vendet u kthyen në gërmadha dhe shoqëritë, bashkë me ekonomitë e tyre u shkatërruan. Në mesin e tyre edhe vendi im Kosova.
Megjithëkëtë shekulli i ri në Ballkanin perëndimor nisi me një shpresë të re. Njerëzit e shkatërruar nga luftërat gjetën forcë për të nisur një jetë të re dhe një orientim të ri për të ardhmen. Me 10 vite vonesë vendet tona po hynin në tranzicionin demokratik, me synimin për të ndërtuar shoqërinë demokratike, ekonominë e tregut të lirë, dhe shtete ku parimet bazë janë sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave e lirive të njeriut.
Si në asnjë vend tjetër të Ballkanit perëndimor, ky tranzicion ishte i vështirë në vendin tim, Republikën e Kosovës. Periudha e pasluftës u përcoll me një gjendje të pasigurisë dhe paqartësisë politike për shkak të statusit politik të padefinuar, deri në fillim të vitit 2008, kur pas një periudhe të gjatë negociatash me Serbinë, dhe duke u mbështetur në vullnetin e lirë të qytetarëve të saj, Kosova shpalli pavarësinë e saj.

Republika e Kosovës është shteti më i ri në Evropë. Në këto pak vite të ekzistencës së tij, shteti i Kosovës ka shënuar hapa historik në konsolidimin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Deri me tani 113 shtete e kanë njohur Republikën e Kosovës. Jemi bërë pjesë e një sërë iniciativash dhe mekanizmash ndërkombëtar. Të rinjët e Kosovës, edhe pse padrejtësisht më të izoluarit në Evropë, po shkelqejnë në garat sportive ndërkombëtare, në muzikë dhe inovacion, duke treguar kështu potencialin e pakrahasueshëm të një shoqërie të re.
Përkrahja më e madhe për shtetin e Kosovës vjen nga vendet e hemisferës perëndimore, në krye me Shetetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa vetë Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë ka provuar legjitimitetin ndërkombëtar të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Pesë vende të Bashkimit Evropian vazhdojnë të mos e ndajnë këtë mendim, duke pasur frikë se pavarësia e Kosovës mund të ketë efekte në çështjet e tyre të brendshme. Ne i kuptojmë shqetësimet e tyre, por gjithashtu duhet të potencojmë faktin se pavarësia e Kosovës e ka bërë më të qëndrueshëm stabilitetin dhe paqen në rajonin e Ballkanit. Të gjithë parashikuesit e efektit domino të pavarësisë së Kosovës kanë gabuar në vlerësimet e tyre.
Lindja e shtetit të Kosovës përbën një rast sui generis, dhe si i tillë nuk mund të shërbejë si model për asnjë situatë tjetër. Secili komb ka specifikat e tij, prandaj analogjitë politike apo historike nuk përbëjnë kurfarë argumenti për të mos e njohur realitetin e quajtur Republika e Kosovës. Pavarësia e Kosovës ka mbyllur përfundimisht kapitullin e të kaluarës së hidhur, duke i bërë të mundur rajonit tonë të kthej shikimin nga e ardhmja evro-atlantike.
Sot ne mund të ndihemi mirë se të gjitha vendet tona ndajnë vizionin e përbashkët për të qenë pjesë e familjes së demokracive evropiane. Aty këtu dëgjojmë zëra të forcave antidemokratike që flasin për orientime të tjera strategjike, për aleanca të reja, por jam i bindur se këto forca nuk do të mund ta rivalizojnë vizionin evro-atlantik, i cili parasegjithash ka mbështetjen e plotë të qytetarëve dhe shoqërive ballkanike.
Megjithëkëtë nuk duhet që të injorohen këto forca. Ky mesazh është në rradhë të parë për elitat demokratike në Ballkanin perëndimor dhe vendimmarrësit e Bashkimit Evropian.

Të gjithë në Evropë jemi duke kaluar në momente delikate.
Kriza ekonomike në BE-, dalja e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, ngdalësimi i procesit të përfshirjes së anëtarëve të rinj në strukturat e tij, kanë krijuar një klimë të pasigurisë dhe paqartësisë për të ardhmen, përgjatë gjithë kontinentit evropian.
Forcat antidemokratike mund ta lexojnë këtë situatë si një shansë për alternativat e tyre populiste, të cilat nuk premtojnë asgjë përveç rikthimit të fantazmave të së kaluarës së errët.
E dijmë se në shekullin e kaluar Evropa dhe Ballkani kanë pësuar aq shumë nga joshja e populizmit autoritarist, qoftë të djathtë, qoftë të majtë. Është koha që të gjithë të bëhemi sëbashku për të shpëtuar shoqëritë tona nga ringjallja e joshjes populiste, e cila si gjithmonë, veç parullave nuk ofron asnjë zgjidhje për problemet që kanë qytetarët dhe shoqëritë.

Rruga më e mirë për ta bërë këtë është rifuqizimi i vlerave të demokracisë liberale dhe parimit të pluralizmit politik. Ky është misioni imediat i elitave politike, kulturore dhe ekonomike, në Bashkimin Evropian dhe në Ballkanin perëndimor.
Insistoj në këtë pikëpamje, sepse paqja në Ballkan nuk mund të fuqizohet pa një Bashkim Evropian që funksionon dhe frymëzon popujt me shembullin e tij.
Republika e Kosovës dhe të gjithë fqinjët e saj kanë nevojë për këtë frymëzim. Të gjithë e dijmë se Bashkimi Evropian është krijuar dhe funksionion për të dekurajuar dhe pamundësuar ata që që promovojnë modelet autoritariste të qeverisjes. Është koha për ta ritheksuar këtë motiv themeltar të BE-së
Hapi tjetër vendimtar në garantimin afatgjatë të paqes në rajonin e Ballkanit perëndimor është ecja përpara në procesin e pajtimit mes popujve.
Në shumë raste ky pajtim vazhdon të mbahet peng nga mospranimi i të vërtetave për të kaluarën, por edhe kultura politike e përdorimit të retorikës nacionaliste në garat e brendshme për pushtet. Fatkeqësisht në Ballkan retorika e ashpër nacionaliste ende është taktikë e rëndësishme elektorale.

Pajtimi është i domosdoshëm dhe jam i bindur se dy faktorë do të na mundësojnë të ecim përpara në këtë drejtim : fuqizimi i demokracisë brenda shteteve tona, si në nivelin institucional ashtu edhe në nivelin e shoqërisë, si dhe investimi në gjeneratat e reja që më shumë se për të kaluarën kanë çfarë të rrëfejnë për të ardhmen.
Republika e Kosovës ka gjithë vullnetin dhe gadishmërinë për të dhënë kontributin e saj në këtë drejtim. Mbi bazën e kësaj Republika e Kosovës qëndron fuqishëm mbi parimin e fqinjësisë së mirë, përfshirë këtu edhe me Republikën e Serbisë.
Ne jemi angazhuar tërësisht në procesin e dialogut me Serbinë në mënyrë që marrëdhëniet tona fillimisht të normalizohen, si hap i parë drejt procesit të njohjes reciproke si dy shtete të pavarura, që ndajnë të njejtën aspiratë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian.

Ne kemi nënshkruar një sërë marrëveshjesh me qeverinë e Serbisë, në mënyrë që qendrimet e ngurta politike, të mos bëhen pengesë për jetën e përditshme të qytetarëve në të dy anën e kufirit shtetëror.
Ajo që është për t’u brengosur është se shpeshherë në Beograd kemi një shpërthim të zellit nacionalist për të penguar shtetin e Kosovës dhe integrimin evro-atlantik të tij.
Provokacionet e fundit të Serbisë, si aktualizimi i fletarresteve të kohës së Milosheviqit për ish pjesëtarët e UÇK-së, përpjekjet për të ndërtuar mure ndarëse në veriun e Mitrovicës, lëshimi i trenave ilegal që duan të futen në Kosovë pavarësisht ligjeve të vendit, janë pasojë e këtij zelli, që ne konsiderojmë se në fund të fundit do t’i bëjë dëm më se shumti vetë Serbisë dhe qytetarëve të saj.
Republika e Kosovës përbën një realitet gjeopolitik të pakthyeshëm dhe në Ballkan shumëçka mund të ndodhë, përveç kthimi i të kaluarës në asnjë mënyrë.

Ne i kuptojmë vështirësitë e Serbisë për t’u çliruar nga trashëgimia e së kaluarës, por fqinji ynë verior duhet ta kuptojë se nuk mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian duke penguar fqinjët e saj që ta bëjnë të njejtën gjë.
Është e domosdoshme që Bashkimi Evropian të qartësoj parimin e barazisë se të gjitha shteteve të rajonit në përspektivën integruese. Çdo qasje tjetër, përveç që është e gabueshme, përbën edhe kërcenim për rendin demokratik në rajon.
Në kontekstin e zhvillimeve aktuale, kur regjimet autoritariste po lulëzojnë gjithandej, investimi në demokracinë ballkanike, është interes primar i Bashkimit Evropian. Më shumë se në Bruksel, sot Evropa mbrohet në Ballkan.
Unë besoj se në muajt dhe vitet në vazhdim do të ecim të gjithë sëbashku në këtë drejtim, që një ditë paqja e brishtë ballkanike të fitoj epitetin e asaj që quhet paqe demokratike mes kombeve.
Ju faleminderit për vëmendjen tuaj!

Temat
Botë

Të afërta