Kryeministri lavdëron ATK-në, thotë se po bën punë të mirë edhe në veri

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) është një prej institucioneve më të rëndësishme në Kosovë, e cila çdo vit ka shënuar rritje të të hyrave si dhe po lufton evazionin fiskal në veri.

Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në shënimin e 17-vjetorit të themelimit të ATKS-së. Në shënimin simbolik të këtij përvjetori, morën pjesë edhe zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, ministri i Financave, Avdullah Hoti, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami, si dhe palët e interesit dhe donatorët. “ATK ka dhënë një kontribut të veçantë i cili është avancim me përkushtim për objektivat e Qeverisë, duke eliminuar evazionin fiskal dhe krijimin e kushteve të barabarta në treg. Ka rritje të të hyrave për çdo vit nga ATK ku po lufton evazionin fiskal edhe në veri”, tha kryeministri Mustafa.

“Vitin e kaluar kemi të evidentuara se kemi pasur rritje të të hyrave për 16 për qind më të larta sesa në vitin 2015”, ka theksuar Mustafa. Ndërsa, drejtori i ATK-së, Sakip Imeri, duke treguar për rrugëtimin e ATK-së për 17 vjet, tha se prioritet i tyre mbetet lufta ndaj ekonomisë informale dhe evazionit fiskal.

“Nga themelimi i ATK-së, për 17 vjet ATK-ja ka arritur të mbledhë 4.6 miliardë euro të hyra. ATK-ja gjithmonë ka qenë në shërbim të taksapaguesve”, ka thënë Imeri. Administrata Tatimore e Kosovës është themeluar më 17 janar të vitit 2000 nga Administrata e UNMIK-ut.

Temat
Vend

Të afërta