Rritet në afro 100 numri i të vdekurve në tërmetin në Indonezi

Është rritur në afro 100 numri i personave që kanë humbur jetët në tërmet, ndërsa druhet se dhjetëra të tjerë kanë mbetur të bllokuar nënë rrënojat e ndërtesave të rrëzuara pas tërmetit të fuqishëm që goditi Indonezinë në mëngjesin e sotëm.

Ekipet e kërkim-shpëtimit në provincën Aceh, një zonë kjo që në të kaluarën është shkatërruar nga një tërmet masiv dhe tsunami më 26 dhjetor 2004 , kanë përdorur traktorët për t’i larguar rrënojat në përpjekje për t’i nxjerrë njerëzit e bllokuar në shtëpitë e veta, transmeton Express.

Tërmeti 6.5 ballë Rihter goditi në veri të qytetit të vogël Reuleuet, sipas Shërbimit Gjeologjik Amerikan.

Shefi i ushtrisë në provincën Aceh, Talang Sulaiman, ka thënë se të paktën 97 persona janë konfirmuar të vdekur, ndërsa katër të tjerë janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat.

“Shpresojmë se do të mund të jemi në gjendje ta përfundojmë evakuimin nga rrënojat para perëndimit të diellit,” ka thënë ai.

Temat
BotëLajme

Të afërta