Bashkitë, nivel i ulët transparence, raporti

Në Shqipëri, një monitorim i kryer nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN, tregon se niveli i transparencës së bashkive në të gjithë vendin është i ulët.

Monitorimi ka vlerësuar transparencën e njësive të pushtetit vendor lidhur me kategoritë e informacionit që ato bëjnë publike pranë ambienteve të tyre pa kërkesë. Për këtë arsye, të 61 bashkitë e vendit janë monitoruar lidhur me publikimin e 50 indikatorëve që rrjedhin nga Ligji mbi Njoftimin dhe Konsultimin Publik. Raporti zbulon se Niveli i Transparencës, i matur përmes këtyre indikatorëve të identifikuara si detyrime ligjore të bashkive, është aktualisht në masën 43 për qind. “Shumica e bashkive të vendit kanë dështuar në përmbushjen e të paktën gjysmës së 50 indikatorëve të vrojtuar”, shkruhet në raport.

Të 50 indikatorët e identifikuar të nivelit të përgjithshëm të transparencës janë ndarë në shtatë kategori kryesore: E drejta e informimit; Organizimi i brendshëm; Legjislacioni; Këshilli Bashkiak; Transparenca Financiare; Konsultimi Publik dhe Informacione të tjera. Gjetjet tregojnë se bashkitë janë më transparente në lidhje me dokumentacionet dhe informacionin e lidhur me kategorinë “E Drejta e Informimit” (në masën 50 përqind) dhe “Këshilli Bashkiak” ((në masën 41 përqind) ndërsa kategoritë të cilat janë më pak transparente në nivel kombëtar janë “Transparenca Financiare”, (në masën 36 përqind) “Legjislacioni” (në masën 38 përqind) dhe “Konsultimi Publik” (në masën 39 përqind).

Rezultatet e detajuara për secilën bashki paraqesin një situatë akoma më kaotike. Ashtu siç tregojnë dhe rezultatet Raportit Kombëtar të Monitorimit, “përmbushja e kërkesave të kuadrit ligjor mbi dokumentet dhe informacionin që njësitë e qeverisjes vendore duhet të bëjnë publike pa kërkesë nuk mund të justifikohet nga madhësia e bashkisë në terma popullsie apo fondesh, ose nga vendndodhja e tyre gjeografike”. Bashkia me nivelin më të lartë të transparencës rezulton të jetë ajo e Gramshit e vlerësuar në masën 65 përqind, e ndjekur nga Durrësi dhe Fieri me respektivisht një nivel transparencë në masën 63 dhe 60 përqind.

Bie në sy se Bashkia më e madhe e vendit, ajo e Tiranës, renditet në vendet e fundit të listës me një nivel transparence në masën 23 përqind, ku për të paktën dy kategori treguesish “Legjislacioni” dhe “Transparenca financiare” është në nivelin e 0 përqind. Në renditjen e përgjithshme, Bashkia e kryeqytetit, ka lënë pas vetes, vetëm katër bashki të vogla si ajo e Skraparit, Kamzës, Rrogozhinës dhe Selenicës.

Në monitorimin e financuar nga “Lëviz Albania” evidentohet se strukturat e bashkive nuk zbatojnë ligjin, që detyron çdo bashki që të ketë koordinator për transparencën.

“Një administratë që është rritur dhe kultivuar dhe ka punuar për vite të tërë, e lidhur kjo edhe me të kaluarën, me mentalitetin që çdo gjë që është zyrtare nuk mund të jetë publike, kur në të vërtetë që çdo gjë që është zyrtare, pikërisht se është zyrtare është publike, është transparente”, tha Besnik Dervishi Komisioner për të drejtën e informimit.Por cilat bashki kanë probleme me transparencën sipas këtij raporti? Bie në sy niveli i kënaqshëm i Bashkisë së Durrësit dhe Gramshit dhe renditja e Bashkisë së Tiranës tek 5 më problematiket. Por bashkia e kryeqytetit, ka një pasqyrim tjetër të situatës për periudhën nga muaji qershor kur është bërë monitorimi.

“Nga muaji qershor, periudhë të cilës i referohet ky raport, e deri në muajin tetor ku jemi, bashkia e Tiranës e ka përmirësuar ndjeshëm programin e transparencës, sa i takon të drejtës së informimit, transparencës financiare, konsultimeve publike apo legjislacionit. Aktualisht që flasim jemi mbi 70 përqind të plotësimit të saj.

Gjithashtu, për të qenë sa më në kontakt me qytetarët dhe që këta të fundit të kenë akses në bashki. Prej gati një viti, bashkia ka bërë publik aplikacionin “Tirana Ime”, i cili funksionon si një lloj komunikimi virtual me qytetarët për zgjidhjen e problemeve të ndryshme që ata vlejnë në qytet. Synimi i Bashkisë së Tiranës është që brenda vitit të plotësojë të gjitha pikat e programit të transparencës, duke mbushur detyrimin për të qenë sa më e hapur për qytetarët e saj”, thuhet nga Bashkia e Tiranës.

Temat
Rajon

Të afërta