Kryeministri lëvdon Kushtetuesen: Forcoi shtetin e Kosovës

Sot është mbajtur ceremonia solemne e vitit të 7-të gjyqësor të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ku ka marrë pjesë edhe kryeministri i vendit, isa Mustafa.

Mustafa, para të pranishmëve të shumtë, përfaqësues të institucioneve shtetërore, ambasadorë, gjyqtarë vendorë dhe ndërkombëtarë, vlerësoi punën e Gjykatës Kushtetuese gjatë këtyre viteve, duke thënë se është bërë një punë tepër e rëndësishme në mbrojtjen dhe forcimin e shtetit të Kosovës, që si rrjedhojë ka ndihmuar në mënyrë të vazhdueshme dhe drejtpërsëdrejti në forcimin e demokracisë dhe rritjen e efikasitetit shtetndërtues të vendit tonë, bën të ditur një komunikatë nga Kryeministria.

“Si kryeministër vlerësoj lartë punën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës gjatë këtyre viteve, sepse ka qenë një punë dhe një rol kapital në zhvillimin dhe demokratizimin e institucioneve tona, në ngritjen e sundimit të ligjit, në konsolidimin e rendit juridik, si dhe në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut. Mund të konstatohet gjithashtu se Gjykata Kushtetuese ka bërë këto vite një punë tepër të rëndësishme në mbrojtjen dhe forcimin e shtetit të Kosovës, pastaj si rrjedhojë edhe ka ndihmuar në mënyrë të vazhdueshme dhe drejtpërsëdrejti në forcimin e demokracisë dhe rritjen e efikasitetit shtetndërtues të vendit tonë”, citohet të ketë thënë kryeministri.

“Me punën e saj të vazhdueshme Gjykata Kushtetuese është përpjekur jo vetëm t’i afirmoj parimet bazë të së drejtës kushtetuese, por edhe t’i përdor këto parime për të vlerësuar pajtueshmërinë ose jo pajtueshmërinë e akteve që kanë marrë shqyrtim me dispozitat kushtetuese. Mbrojtja e këtyre parimeve gjithmonë ka qenë e rëndësishme për ne, dhe të gjithë ne i kemi pranuar dhe i kemi zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Këto vendime kanë pasur ndikim edhe në vendimet politike të organeve të pushtetit shtetëror, gjë që e ka bërë Gjykatën Kushtetuese shumë të rëndësishme. Sa më shumë që Gjykata Kushtetuese i ka sqaruar këto vendime, ka kontribuar që ato të jenë në përputhshmëri me dispozitat kushtetuese, dhe ka lehtësuar punën tonë dhe punën e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ka konsoliduar shtetndërtimin e vendit tonë”, ka deklaruar Mustafa.

“Në forma të ndryshme kjo Gjykatë ka bërë punë shumë të madhe edhe në sensibilizimin e opinionit publik për domosdoshmërinë e sundimit të ligjit, një detyrë e cila kërkon angazhimin e të gjithë akterëve të shoqërisë tonë. Për këtë, lypset edhe më tutje të kontribuojmë të gjithë ne, edhe institucionet e vendit, edhe institucionet e pavarura, edhe mediat, edhe organizatat joqeveritare, në mënyrë që sundimi i ligjit në vendin tonë të bëhet çështje e të gjithë neve”, ka thënë Mustafa.

Temat
LajmeVend

Të afërta