Jonida Vokshi është çdo vajzë shqiptare që kërkon ‘dhëndrin ideal’ (Video)

Çfarë ndodh kur një vajzë e bukur, me shkollë, me një punë të mirë dhe që ka gjetur njeriun e ëndrrave, lihet shtatë ditë përpara dasmës? Jo jo, nuk...

Çfarë ndodh kur një vajzë e bukur, me shkollë, me një punë të mirë dhe që ka gjetur njeriun e ëndrrave, lihet shtatë ditë përpara dasmës?
Jo jo, nuk mbyllet në dhomën e saj për një vit duke pirë e duke qarë: i vë vetes qëllim të gjejë një dhëndër brenda shtatë ditëve. Në të vërtetë, komedia romantike “Shtatë ditë” me protagoniste Jonida Vokshin nuk është thjesht një komedi romantike. Për një vajzë që jeton në Tiranë, të të shembet gjithçka brenda një çasti nuk është thjesht një përjetim i hidhur personal. Shoqëria që duket herë-herë mendjehapur në thelb ruan konceptin e “gruas për martesë”, dhe po kështu familja që fëmijën, veçanërisht kur është vajzë, e sheh të palumtur nëse nuk martohet pas të 25-ave.

Përpara kësaj sfide gjendet Lana, personazhi i luajtur nga Jonida Vokshi në filmin “Shtatë ditë” me regji të Erion Bubullimës dhe skenar të Genc Përmetit. Në një kryeqytet ku kultura “perëndimore” sfidohet nga komplekset e tradicionales, nuk është e thjeshtë të ndjekësh dëshirat e tua të vërteta.

Skenaristi Genc Përmeti shpjegoi për Anabel.al se ky film përcjell mbi të gjitha idenë e lirisë: “Çdokush duhet të jetë i lirë të zgjedhë atë që dëshiron vetë, pavarësisht çfarë kërkon shoqëria, familja. Shumë herë atë që kërkojmë e kemi përpara syve; ideja për “t’ua bërë qejfin të gjithëve”, nuk na lejon ta kuptojmë.”

Por në Shqipëri (dhe jo vetëm) për një grua kjo është disa herë më e vështirë. Autorët janë konsultuar me vetë femrat, për ta kuptuar më mirë si mund të reagojë një grua në situata të caktuara. Për të krijuar personazhin e Lanës i janë referuar tipologjisë së gruas mesdhetare, me sytë nga karriera e zemrën tek familja, që pret me padurim martesën pas shtatë ditësh. Zgjedhja e Jonida Vokshit për këtë rol ishte e menjëhershme, pa asnjë dyshim. E shohim çdo ditë në ekranin e Digitalb, por pedagogia e Akademisë së Arteve, e diplomuar për regjisurë, nuk shkëputet nga dashuria e parë për aktrimin. Në një intervistë për Anabel.al, Jonida Vokshi tregon të përbashkëtat me Lanën, dhe çdo vajzë tjetër shqiptare në kërkim të lumturisë.

1. Më në fund një komedi romantike që përqëndrohet tek problematikat e marrëdhënies parë nga këndvështrimi i femrës shqiptare. Sa Jonidë kishte në personazhin e Lanës dhe sa Lanë ka tek Jonida?

Sigurisht që tek secili personazh që luan, duhet të fusësh plot veçori e tipare nga vetja, për ta sjellë atë sa më origjinal dhe të prekshëm para shikuesit. Bota dhe këndvështrimi i Lanës ndërthuren me Jonidën, si mund të isha unë në të njëjtat rrethana, me të njëjtin botëkuptim. Megjithatë, në koncept Lana dhe Jonida nuk kanë shumë të përbashkëta në atë çfarë zhvillohet brenda shtatë ditëve në film.

2. Mendon se femra në Shqipëri është më e ndrydhur nga shoqëria, apo është një dukuri globale? Ti si Jonida, je ndier e ndikuar nga të tjerët në zgjedhjet e tua, veçanërisht në dashuri?

Nuk mund të flas me siguri për presionin që ushtrohet mbi femrën nëpër botë, por në shoqërinë tonë mund të them se është një fenomen, sepse ndodh rëndom. Duam apo s’duam ne, e pranojmë apo jo, të gjithë jemi ndikuar nga të tjerët në momente të caktuara të jetës. Unë mund të them se jam përpjekur që ky ndikim të shkaktojë e shumta luhatje momentale, për të fituar më pas një siguri akoma më të madhe. Më pas, nuk më kanë ndikuar tek zgjedhjet e mia e aq më pak në dashuri, që e konsideroj diçka tejet individuale, personale dhe e ruaj me fanatizëm nga ndikimet e jashtme.

3. Ashtu si Lana, edhe ti ke gjetur karrierën tënde dhe punon çdo ditë për të, në televizion apo teatër e kinema. A “tremben” meshkujt përpara një femre të pavarur?

Bëjnë mirë të tremben në fakt! Por natyrisht jo në kuptimin negativ, e kam fjalën të ndërgjegjësohen që të dalin disi nga bota e tyre maskiliste, ta respektojnë apo më shumë, të ndihen krenarë kur një grua të tillë e kanë kolege, shoqe apo partnere. Nëse tremben e largohen, thjesht tregojnë dobësi dhe inferioritet, dhe të tregohem e sinqertë, ndonjëherë kjo më dëfren sepse jam paksa feministe (qesh).

4. Cili mendon se është problemi më i madh i meshkujve shqiptarë?

Mund të bëja një listë shumë të gjatë në këtë pikë, por po e përmbledh: Mendojnë se bota është e tyre, kur që në vështirësinë e parë kthehen nga femra! Duan apo jo ta pranojnë.

5. Po i femrave?

Pavarësia….Duhet të luftojnë shumë herë më shumë për ta arritur këtë në një realitet paragjykues e maskilist si ky i yni.

6. Ke hasur seksizem ne ambjentet profesionale?

Nuk mund të them se nuk ekziston, por fatmirësisht në ambjentin ku unë punoj kjo dukuri është shumë e minimalizuar, pothuajse nuk ndihet, pasi puna e gruas ka shumë peshë, shumë rëndësi, për të mos folur për dosmodoshmërinë e femrës në art.

7. Çfarë do tu thoje vajzave që përveç pasigurisë së zakonshme të marrëdhënieve, përjetojnë dashuri të vështira për shkak të presionit të të tjerëve; mentaliteti, familja?

Unë jam fanatike e të ndjekurit të zemrës. Gjërat e vështira janë ato më të bukurat…Jam për një luftë të hapur kundër presionit të mentalitetit. Nëse je i bindur që është ai/ajo që do dhe e meriton, duhet ta duash!

Se shpejti ne kinema… 🎬 Premiera e filmit "7 Dite" #7dite Pjesa 1

A video posted by Jonida Vokshi (@jonidavokshiofficial) on

Temat
Showbiz

Të afërta

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com