16 vjet burgim për vrasjen në kafene (Video)

Medin Shala u dënua për vrasjen e Agron Danuzës, vrasje që ka ndodhur një vit më parë në Rahovec. Medin Shala, i akuzuar për vrasjen e Agron Danuzës në një kafene të Rahovecit dhe për armëmbajtje pa leje, është dënuar nga Gjykata në Gjakovë me dënim unik prej 16 vjet burgim.

“I akuzuari Medin Shala me shënime si në procesverbal është fajtor pasi që me dashje me datën 23.10.2015 në lokalin “The Doors” ka privuar nga jeta tani të ndjerin Agron Danuza”, tha kryetari i trupit gjykues, Nikollë Komani.

Para se të shpallte dënimin unik, Gjykata shqiptoi veç e veç dënimet për veprën penale të vrasjes dhe për armëmbajtje pa leje.

“Për veprën penale të vrasjes nga neni 178 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 vite e 6 muaj, për veprën penale të armëmbajtjes pa leje dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti. Bazuar në nenin 80, Gjykata e gjykon me dënim unik në kohëzgjatje prej 16 viteve, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 01.11.2015”, tha gjykatësi Komani.

Po ashtu, i akuzuari detyrohet që të paguajë shpenzimet e procedurës penale në vlerë prej 300 euro dhe shpenzimet e paushallit gjyqësor në vlerë prej 200 euro.

Sipas aktakuzës, i akuzuari e kishte goditur me shuplakë viktimën dhe më pas e kishte nxjerrë revolen duke e qëlluar dy herë.

Pastaj personi që rrinte me Shalën e Danuzën në tavolinë është munduar ta largojë të akuzuarin, por ky është kthyer te viktima dhe e ka qëlluar edhe tri herë, thuhet në aktakuzë.

Temat
LajmeVend

Të afërta