Veseli pret në takim njoftues ambasadorin e ri të Zvicrës

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka pritur në takim njoftues ambasadorin e ri të Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet.

Në këtë takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.

“Kryeparlamentari Veseli e ka falënderuar ambasadorin Jean-Hubert Lebet për përkrahjen e vazhdueshme që shteti zviceran ka dhënë dhe po jep për Kosovën.

Veseli tha se institucionet e Kosovës janë duke u angazhuar për të përmirësuar klimën e të bërit biznes në Kosovë.

“Kosova ka nevojë që investitorë zviceranë të vijnë më shumë dhe të investojnë në fusha të ndryshme. Presim që një gjë e tillë të ndodhë sa më parë”, tha ndër të tjera kryeparlamentari Veseli.

Kryetari Veseli, po ashtu, ka diskutuar me ambasadorin zviceran për fushën e sundimit të ligjit, duke shprehur kështu përkushtimin e institucioneve për luftë më të rreptë ndaj dukurive negative.

Nga ana e tij, ambasadori i ri zviceran, Jean-Hubert Lebet, e falënderoi kryeparlamentarin Veseli për mikpritjen. Ai e ritheksoi qëndrimin e shtetit zviceran në mbështetje të Republikës së Kosovës, ndërsa u shpreh optimist se investitorët zviceranë do të shohin Kosovën si vend me interes për të investuar.

Ai tha se shteti zviceran do të vazhdojë bashkëpunimin dhe mbështetjen për institucionet dhe qytetarët e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Temat
LajmeVend

Të afërta