Shqipëria pjesë e bisedimeve Kosovë-Serbi? Ky është qëndrimi zyrtar i Qeverisë Mustafa

Debati i fundit rreth përfshirjes së Shqipërisë në bisedimet e ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nxitur reagime të shumta nga analistë si dhe zyrtar të institucioneve. Madje, i ashpër për rast ka qenë ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i cili sugjeroi Tiranën zyrtare që mos të implikohet në negociatat ndërmjet Republikës tonë dhe Serbisë.

“Kosova nuk ka nevojë për Shqipërinë në bisedimet me Serbinë”, ishte kjo deklarata e ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i cili në një prononcim për mediet maqedonase ka thënë se Kosovës nuk i nevojitet mbështetja e Tiranës në dialogun që po zhvillon me Serbinë, pasi për këtë Prishtina gëzon mbështetjen amerikane dhe evropiane.
Mirëpo, në një përgjigje zyrtare, Qeveria e Kosovës është shprehur e hapur me cilindo vend për normalizimin e raporteve ndërfqinjësore në rajon, për begatimin e tyre, si premisë e përshpejtimit përmbajtjesor të rrugëtimit drejtë integrimeve evropiane dhe dobive të tjera bilaterale e shumëpalëshe.

Zëdhënësi i Qeverisë Mustafa, Faton Abdullahu ka thënë për “Indeksonline” se Serbia duhet ta kuptoj, sa më shpejt aq më mirë se, për ta arritur këtë normalizim rajonal, të vendosur si kërkesë në vazhdim, nga Bashkimi Evropian, duhet ta arrij atë në raport edhe me shtetin e me institucionet e Kosovës dhe proceset e ndryshme që kanë të bëjnë me kohezionin juridiko –shtetëror, etnik dhe zhvillimor të vendit tonë. Sipas tij, këtë nuk mund ta kompensoj gjetiu.

“Normalizim i raporteve me Shqipërinë, nuk do të thotë normalizim i raporteve me Kosovën”, është shprehur ai.
“Sigurisht se në këtë përpjekje të gjithë ne në Ballkan duhet të jemi konstruktiv dhe të sinqertë gjë që nuk na del nga qasja e shtetit serb, sidomos kur kemi të bëjmë me procesin e dialogut, më konkretisht me jetësimin e marrëveshjeve të arritura. Së fundi edhe rasti se si i janë qasur ligjit tonë për Trepçën, edhe rasti i arrestimit të kolonelit Thaçi e dëshmojnë këtë mungesë të vullnetit politik për normalizim”, ka thënë Abdullahu. /Indeksonline/

Temat
LajmeVend

Të afërta