Tahirit nuk i shkon mendja të flasë kundër dialogut, përmend vetëm tensionet

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, ka pritur në takim njoftues ambasadorin e ri të Norvegjisë për Kosovë, Per Strand Sjaastad ,të cilit i uroi mirëseardhje...

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, ka pritur në takim njoftues ambasadorin e ri të Norvegjisë për Kosovë, Per Strand Sjaastad ,të cilit i uroi mirëseardhje dhe suksese në postin e ri, duke shprehur besimin për vazhdimin e bashkëpunimit dhe për të thelluar edhe më shumë këtë bashkëpunim në të ardhmen në të gjitha sferat e rëndësishme për të dyja vendet.
Tahiri tha se Norvegjia është mbështetëse e madhe e Kosovës jo vetëm në dimensionin bilateral, por edhe në kuadër të aspiratës së Kosovës për integrime euroatlantike.

“Jemi të bindur në vazhdimin e përkrahjes së vendit tuaj në forcimin e shtetit të Kosovës”, tha Tahiri, njofton kumtesa.

Në vazhdim ministrja Tahiri foli për rrjedhat e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian duke theksuar se Kosova vazhdon angazhimin e saj në këtë dialog si një proces që po i ndihmon Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian, fuqizon paqen në rajon si dhe po shtrijmë çdo ditë e më shumë sovranitetin shtetëror edhe në pjesën veriore të vendit duke shuar strukturat paralele dhe integruar komunitetin serb të asaj pjese. Ajo vuri në dukje se kjo fazë e dialogut është e shoqëruar me tensione të krijuara nga Serbia e cila ka provokuar rëndë me rastin e arrestimit të zyrtarit të lartë të policisë së Kosovës, Nehat Thaqi, si dhe duke sabotuar marrëveshjen për kodin telefonik.

Ndërsa, ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë, Sjaastad shprehu kënaqësinë që është në krye të Ambasadës Norvegjeze dhe që do të ketë mundësi të angazhohet për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, ndërkaq siguroi se përkrahja e Qeverisë norvegjeze do të jetë e vazhdueshme në forcimin e shtetit të Kosovës, përpjekjet për reforma dhe zhvillim në të gjithë sektorët, perspektivën euroatlantike të Kosovës, si dhe në rrugën e integrimit të Kosovës në BE. Ai foli edhe për rolin e Kosovës në dialogun e Brukselit duke vlerësuar në këtë rast edhe punën e madhe që po bënë Qeveria e Kosovës dhe ministrja Tahiri si kryenegociatore e këtij procesi gjithë këto vite.

Ambasadori Sjaastad po ashtu ka thënë se Norvegjia është partnere e rëndësishme e Kosovës, Norvegjia ka pasur një prani të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor që nga vitet e ’90-ta. Si Ambasador i Norvegjisë në Kosovë dhe Shqipëri, unë do të punojë shumë për të ruajtur dhe për të forcuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona edhe më tej. Ne jemi të angazhuar për të mbështetur stabilitetin rajonal, normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore dhe zhvillimin ekonomik, dhe ne do të vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta në integrimin e mëtejshëm të Kosovës dhe të Shqipërisë në bashkësinë euroatlantike”, deklaroi ambasadori Sjaastad. Njëkohësisht ai shtoi se shteti i tij përkrah dialogun e Brukselit si një kontribut drejt fqinjësisë së mirë dhe stabilitet rajonal dhe vlerësoi se zbatimi i marrëveshjeve të këtij procesi kanë rëndësi qenësore.

Në fund të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për të vazhduar bashkëpunimin si dhe për të qenë në kontakt të përhershëm për gjitha proceset që po kalon Republika e Kosovës./Lajmi

Temat
LajmeVend

Të afërta

Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com