Ministria e Tregtisë dhe Industrisë po bën analiza për Brezovicën

Pas dështimit të konzorciumit francez “MDP Consulting – Compagnie des Alpes”, që të sigurojë 163 milionë euro për projektin e Brezovicës, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hikmete Bajrami pati deklaruar se Qeveria ka një plan B për jetësimin e projektit rreth Brezovicës.
Por, kanë kaluar katër muaj dhe Qeveria ende nuk ka bërë asnjë lëvizje.

Në një përgjigje dhënë Gazetës Express, zyrtarë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, deklarojnë se Qeveria është në fazën finale të analizimit të opsioneve lidhur me këtë projekt.

“Pasi që Qeveria të jetë përcaktuar se me cilin opsion të shkohet më tutje, do të lëvizet menjëherë me procedurat e nevojshme në mënyrë mjaft transparente”, thuhet në përgjigjën e zyrës për informim të kësaj ministrie.

Por pavarësisht se MTI, thotë që Qeveria po punon rreth projektit, kjo e fundit nuk mund ta përcaktoj afatin kohor se kur do të jetësohet ky projekt.

“…tash për tash, nuk mund ta përcaktojmë afatin kohor, por ajo çka është me rëndësi të thuhet është se përkushtimi i qeverisë për këtë projekt është i lartë”, thuhet në përgjigjet e MTI’së.

Ndërkohë që në muajin dhjetor të vitit 2014 konsorciumi francez MDP Consulting –Compagnie des Alpes ishte shpallur fitues, me një çmim prej 409 milionë euro.
Ky konsorcium kishte planifikuar investime në kompleksin turistik Brezovica, prej 165 milionë euro në tri vitet e para, si dhe ishte premtuar se do të krijojë 4000 vende të reja pune./GazetaExpress/

Temat
LajmeVend

Të afërta