‘Gërdeci’, krim shtetëror apo gabim teknik? Berisha –Tahiri akuza të forta në Parlament. Por ende asnjë pas hekurave për 26 viktimat!

Tragjedia e Gërdecit nga e cila kanë humbur jetën 26 viktima, ka ndezur debate dhe akuza të ashpra në Kuvend mes ish kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Ish-Kryeministri Sali Berisha duke folur në sallën e parlamentit, deklaroi sot se tragjedia e Gërdecit me 26 viktima dhe disa të plagosur ishte krim shtetëror, por pa padashje. “Edhe Gërdecin duhet ta shpallni vrasje shtetërore por nuk keni ndërgjegje. Ne bëmë gjithçka për ti kompensuar, por të vrarët nuk i kompenson dot. Kompania mbikëqyrej nga një kompani shtetërore. Që këtu është përfshirja e tyre në vrasje shtetërore, pa dashje. Shteti u jep familjeve dëmshpërblimin. i paqëllimshëm ishte. Ky është shteti i qytetëruar. Qytetarët pësojnë çdo ditë edhe funde tragjike. Por ato që janë të lidhura me shtetin, shteti mban qëndrim”, tha Berisha.

Pas kësaj deklarate ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, kërkoi hetim nga fillimi deri në fund për ngjarjen ku humbën jetën 26 persona.

“Po kush flet për vrasje shtetërore këtu? Kush? Këtu nuk ka më kufi. Njeriu që për Gërdecin thoshte se ishte një aksident teknologjik. Sot the se Gërdeci është vrasje shtetërore. Po si ka mundësi që ish-ministrin e Mbrojtjes e ka sot aleat, nuk u hetua. Qenka vrasje shtetërore në Gërdec? Është ngjarje që duhet të hetohet nga fillimi deri në fund. Ai ka lënë pas 26 viktima, që i quajti ‘gabim teknologjik’.

Nuk pranoj moral nga ky njeri që bën konferenca për shtyp bënte sikur se dinte si e kishte emrin baxhanaku i tij, ato që financon i biri i tij. Ai që flet për lirinë e mediave, ishte armiku i mediave, se i digjte redaksitë. A nuk u gjobit Top-Channel? Apo dhe gazeta Tema, po ky ishit ju ‘dashnorët e fjalës së lirë’. Ku ishit ju? Askush nga ju nuk ka të drejtë që të bëjë moral për lirinë dhe të drejtat e medias”- deklaroi Tahiri.

Temat
LajmeRajon

Të afërta