QKK sqarohet rreth ankesave për konkursin

Qendra Kinematografike e Kosovës ka dalë me një sqarim publik lidhur me ankesat ndaj konkurseve të QKK-së

Në vijim është sqarimi i plotë

Për shkak të reagimeve dhe komenteve të fundit prej disa pjesëtarëve të komunitetit artistik lidhur me konkursin e fundit, për të mos vazhduar më tutje një dezinformim i mundshëm dhe konfuzion dhe për të mos u krijuar opinione të gabueshme, Qendra Kinematografike e Kosovës sheh të arsyeshme të jap një sqarim për secilën temë e çështje që është ngritur, komentuar apo diskutuar në media apo në rrjete sociale.

QKK aktivitet kryesor vjetor e ka hapjen e konkursit dhe mbështetjen e projekteve të ndryshme filmike. Çdo vit QKK, hap konkursin për mbështetje, për të cilin emërohen anëtarët e jurisë nga ana e Këshillit Drejtues dhe të cilët kanë për detyrë të vendosin se cilat projekte do të mbështeten.

Të gjithë aplikantët njoftohen për anëtarët e jurisë dhe QKK kërkon nga ta të reagojnë në rast se ndonjë anëtar i jurisë mund të ketë konflikt interesi. Njëjtë njoftohen edhe anëtarët e jurisë dhe vetëm pas kësaj juria fillon leximin e projekteve që kanë aplikuar.

Gjatë këtij konkursi ne nuk kemi hasur në probleme, përveç që kemi vënë re që një anëtare e jurisë ka qenë këshilltare e një skenari në konkursin për film të metrazhit të gjatë artistik të regjisorëve debutues, ku kanë aplikuar 3 projekte filmike. Kjo ka mundur të shkaktojë konflikt interesi dhe QKK ka vepruar sipas ligjit për kinematografi neni 43 dhe rregullores Nr. 08/2016 të Punës së Jurisë Vlerësuese, përkatesisht nenit 4 pika 2 ku thuhet:

‘Nëse në një kategori përkatëse konstatohet se ka apo mund të ketë konflikt interesi tek një apo dy anëtarë të jurisë të njëjtit përjashtohen nga vlerësimi dhe diskutimi për kategorinë përkatëse dhe nuk shpërblehen për punën e tyre në atë kategori, ndërkaq vlerësimi bëhet nga 6, përkatësisht 5 anëtarë të mbetur.’

Kjo anëtare është tërhequr nga pjesëmarrja në prezantim dhe vlerësim në atë kategori; do të thotë se nuk ka qenë e pranishme as në prezantim e as nuk ka vlerësuar asnjë projekt të asaj kategorie. Për këtë kanë qenë të njoftuar të dyja palët, edhe aplikantët edhe juria. Në këtë rast është shmangur konflikti i mundshëm i interesit.

Janë lakuar edhe emrat e disa anëtarëve të tjerë të jurisë për konflikt interesi apo ngjashëm. Është thënë se anëtarët e jurisë V. Morina dhe Z. Kelmendi kanë projekte të hapura në QKK dhe kjo nuk është e vërtetë. Asnjëri prej tyre nuk është bartës i projektit – producent. Projekti “Babai”, nëse është fjala për atë projekt ku është i involvuar z. Morina, është projekt i mbyllur në QKK dhe MKRS. Mirëpo edhe sikur një producent, regjisor apo skenarist të ketë projekt të pambyllur në QKK kjo nuk bie ndesh me legjislacionin në fuqi dhe të njëjtit nuk pengohen për të qenë pjesë e jurisë sepse po flasim për vite të ndryshme dhe konkurse të ndryshme.

Qendra Kinematografike e Kosovës posedon tërë materialin video dhe audio incizimet e gjithë procesit të prezantimit dhe të vendimeve të jurisë, gjithashtu posedon edhe vlerësimet individuale për secilin projekt të secilit anëtar të jurisë. Kësisoji QKK është e hapur për bashkëpunim me secilin institucion të pavarur, shtetëror apo jo-qeveritar, për sqarimin e ankesave apo informatave që mund të kërkojnë individë apo grupe të ndryshme.

Edhe pse është sqaruar edhe më parë, theksojmë se puna e jurisë është të vlerësojë skenarin dhe projektin në përgjithësi. Gjithçka rreth konkursit është transparente dhe që nga momenti i emërimit të anëtarëve të jurisë, emrat e tyre bëhen publikë. Anëtarët e jurisë propozohen nga drejtori i QKK-së i cili propozon mbi 30 persona të afirmuar në fushën e filmit, nga të cilat emërohen 14 anëtar nga Këshilli Drejtues dhe formohen dy juritë e konkursit. Gjithashtu vendimet e tyre, komentet për secilin projekt ju dërgohen të gjithë aplikantëve dhe vendimet bëhen publike.

Një tjetër ankesë ka qenë lidhur me dy rregullore të QKK-së, Rregulloren për subvencionimin e projekteve dhe Rregulloren për punën e jurisë vlerësuese. Duhet të sqarojmë se QKK është institucion i Ministrisë të Kulturës dhe funksionon në bazë të ligjit dhe rregulloreve të cilat i harton Ministria e Kulturës. Kushdo që mund të ketë vërejtje për rregulloret dhe ligjet në fuqi, ekzistojnë mënyra të caktuara për ndryshimin e tyre. Sipas nesh, rregulloret janë shkruar duke respektuar ligjin dhe janë miratuar po në këtë mënyrë. Kjo gjë është lehtë e vërtetueshme. Megjithëkëtë, nuk është korrekte të pohojmë se jemi kompetentë për vlerësimin e kësaj çështjeje. Përgjigja duhet të kërkohet te institucionet relevante për të hequr çfarëdo dyshimi, nëse ka.

Poashtu, është folur edhe për konflikt interesi nga natyra të ndryshme. QKK nuk është kompetente për të vlerësuar konfliktin e interesit, por, gjithsesi, nuk janë kompetentë as palët që kanë akuzuar për konflikt interesi. Për të gjitha këto dyshime nxisim të gjitha palët që për çdo dyshim t’i drejtohen Agjensionit Antikorrupsion që është institucioni më kompetent për këtë çështje. Sidoqoftë, plasimi dhe servimi në opinion i këtyre dyshimeve si fakte të kryera, qoftë nga ana e individëve apo e grupeve, është manipulim i opinionit dhe shpifje për nga definicioni, qoftë kjo e kryer pa vetëdije apo me qëllim. Por, ajo që mund të sqarojmë janë disa pasaktësi dhe të pavërteta lidhur me anëtarët e këshillit të QKK. Anëtari i KD Visar Krusha thuhet se ka borxh në QKK dhe kjo është e pavërtetë sepse projekti ‘Babai’ është i mbyllur. Ilir Gjocaj thuhet se është drejtor i Kosovafilmit, pra zyrtar i lartë, dhe kjo nuk është e vërtetë. Posti i tij zyrtar i përcaktuar nga MKRS është producent-menaxher dhe jo drejtor. Anëtari i KD të QKK, Selman Jusufi, ka qenë i angazhuar në filmin ‘Eho’ para se të jetë anëtar i këshillit të QKK. Zethane Bahtiri është e emëruar anëtare e këshillit nga ana e MKRS, që në fakt është e drejtë e MKRS që të emërojë një anëtar të KD nga radhët e veta, sipas ligjit. Edhe pse anëtarët e KD nuk kanë projekte të hapura në QKK, po theksojmë se, edhe sikur të kishin pasur, sipas ligjit në fuqi, të njejtit do të mund të ishin pjesë e KD, mirëpo do të ju hiqej e drejta të marrin vendime rreth projektit që kanë në QKK. Mund të sqarojmë se janë të pavërteta edhe spekulimet se disa aplikues ose edhe fitues të konkursit të sivjetmë nuk kanë pasur të drejtë të marrin pjesë në konkursin e këtij viti. Të gjithë aplikantët, projektet e të cilëve iu kanë nënshtruar vlerësimit të jurisë, paraprakisht i kanë përmbushur të gjitha kushtet dhe kriteret për aplikim. Për këtë ekzistojnë dosjet e dorëzuara në QKK me rastin e aplikimit. Këto dosje u janë nënshtruar kontrollit nga ana e komisionit të veçantë. Megjithëkëtë, në rast se megjithatë ka ndodhur ndonjë lëshim i çfarëdo natyre, nëse kushdo ka fakte për të kundërtën, ju lutem që këto fakte t’i bëni të ditura në institucionet relevante, në MKRS, gjykatë etj.

Sa i përket kërkesës së QKK-së që skenarët e metrazhit të gjatë të jenë në gjuhën angleze, çështja është sqaruar disa herë dhe po e sqarojmë përsëri. Kërkohet që të gjithë producentët duhet ta kenë skenarin të përkthyer në gjuhën angleze, edhe për shkak të bashkëpunimeve të tyre me palët tjera, kur dihet se QKK nuk financon filmat 100% dhe pjesa tjetër duhet të sigurohet nga fonde tjera, kryesisht jashtë Kosovës. Në rast se producenti nuk arrin ta përkthejë skenarin, QKK subvencionon përkthimin, kështu që producentët nuk ngarkohen me shpenzime shtesë, nëse kjo ka qenë arsyeja e ankesës. Përndryshe, skenarët e përkthyer nevojiten në rast se në juri do të ketë pjesëtarë të huaj, jo shqipfolës. Natyra e punës në një institucion përcakton mënyrën e punës. Dhe përkthimi i skenarit është parë edhe tek ne si një nevojë që del nga natyra e punës. QKK ka konsideruar se skenari i përkthyer në gjuhën angleze është domosdoshmëri, qoftë për nevojat e QKK por edhe për nevojat e producentëve individualë për punën e tyre me projektin filmik edhe jashtë raporteve me QKK. Kinematografia në Kosovë, si aktivitet, për asnjë moment nuk mund të konsiderohet si qark i mbyllur për nevoja lokale por është pjesë e kinematografisë botërore në secilin aspekt. Sidomos kur është e ditur se as teorikisht nuk mund të kryhet një projekt filmik pa bashkëpunime të jashtme, në të gjitha fazat, prej para-prodhimit deri në promovimin dhe distribuimin e filmit.

Së fundi, e shohim të arsyeshme të bëjmë edhe një koment lidhur me ankesat dhe akuzat që janë bërë në emër të QKK. Dihet se ankesat dhe në përgjithësi monitorimi i secilit institucion publik është nevojë dhe, në njëfarë mënyre, detyrë qytetare. Për secilën ankesë, dyshim ose koment lidhur me punën e QKK, në këtë rast, është e mirëseardhur. Sidoqoftë, të gjitha duhet të mbështeten në fakte konkrete e pastaj të plasohen në media. Përndryshe, plasimi i pakriter i dyshimeve dhe akuzave të pabaza dhe prezantimi i dyshimeve si fakte të kryera, siç e konsiderojmë rastin e fundit, e dezinformojnë publikun, krijojnë opinione të gabuara dhe konfuzion. Krejt kjo nuk e i ndihmon debatit të përgjithshëm dhe ‘monitorimit’ publik të institucioneve publike, që është një prej formave që merr demokracia në praktikë, por e bën pikërisht të kundërtën. Për më shumë, me rastin kur vazhdimisht këto akuza dalin si të pabaza, vetëm humbin besueshmërinë e akuzës dhe monitorimit të insititucioneve edhe në të ardhmen dhe nuk sjellin asnjë dobi konkrete. Në rast se palë të caktuara ende kanë vërejtje ose ankesa, QKK është e hapur për sqarime. Nëse palë të caktuara kanë fakte për çfarëdo keqpërdorimesh, QKK i fton që këto fakte t’i dërgojë në institucione relevante.

Temat
Art

Të afërta

  • Bujarija dhe Refugjatët: Kosovarët në Mërgim

    Bujaria dhe Refugjatët: Kosovarët në Ekzil (Brill, Maj 2018) është një vepër historie që studion kontekstet politike dhe sociale që refugjatët Kosovarë i ndeshën kur lëshuan atdheun e tyre...
  • Ilir Shaqiri promovon librin “Adem Jashari”

    Shumë këngë ia kushtoi Adem Jasharit. E për komandantin legjendar, Ilir Shaqiri shkroi edhe libër. Të hënën në akademinë letrare të organizuar nga lidhja e shkrimtarëve ky promovoi poemën...
  • Vdes këngëtari Nijazi Bytyqi

    Muzikës shqiptare iu largua nga kjo botë një këngëtar i njohur. Bëhet fjalë për këngëtarin Nijazi Bytyqi, i cili ndërroi jetë në moshën 72 vjeçare, shkruan lajmi. Bytyqi ishte...
  • Shuhet aktori i njohur shqiptar!

    Ka ndërruar jetë në moshën 66-vjeçare si pasojë e një sëmundjeje të rëndë aktori dhe regjisori i njohur shqiptar, Lisenko Malaj. Vitet e fundit ai ka jetuar në Itali....