Letrat e vonuara të Thaçit për ndriçimin e krimeve

Letrat që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u drejtoi Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial, po shihen në mënyra të ndryshme nga përfaqësues të shoqërisë civile.

Në njërën anë, letrat e hapura të Thaçit – me kërkesën që të zbardhen krimet e kryera gjatë dhe pas periudhës së luftës – po shihen si ndërhyrje në çështje të drejtësisë. Nga ana tjetër, këto letra, nga përfaqësues tjerë të shoqërisë civile, po shihen edhe si shprehje e vullnetit politik në favor të zbardhjes së krimeve të pa ndriçuara për 17 vite.

Por, e përbashkëta në vlerësimet e tyre është se Thaçi, sikurse edhe pjesa tjetër e lidershipit të Kosovës, po e shprehin këtë vullnet me vonesë të madhe.

Bekim Blakaj, nga Fondi i të Drejtës Humanitare në Prishtinë, thotë se mandati i presidentit i lejon atij që të shpreh vullnetin politik në lidhje me zbardhjen e rasteve të tilla. Nisma e Thaçit, sipas tij, duhet përshëndetur, ndërkaq puna u mbetet organeve të drejtësisë. Por, marrë parasysh periudhën kohore kur kanë ndodhur këto krime, Blakaj thotë se nuk mund të pritet që drejtësia të vendoset për të gjithë ata që e presin atë.

“Duke marrë parasysh gjithëpërfshirjen e krimeve që kanë ndodhur gjatë dhe pas luftës dhe numrin e madh të viktimave që kanë pësuar nga këto krime, mendoj që nuk mund të presim që të gjitha viktimat, familjet e viktimave, ta realizojnë të drejtën e tyre në drejtësi”.

“Mirëpo, rritja e numrit të proceseve gjyqësore do të ishte pozitive. Tek e fundit, një numër i caktuar i viktimave do ta shihnin drejtësinë”, thotë Blakaj.

Temat
LajmeVend

Të afërta