Trump sulmon figurat e larta të Partisë Republikane, i akuzon për pabesi

Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, po sulmon zyrtarë të lartë të partisë së tij, që janë shprehur se nuk do ta mbështesin në garën presidenciale.
Trump, në një koment në Twitter, sulmoi Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, republikanin Paul Ryan, duke e cilësuar një “udhëheqës shumë të dobët dhe joefektiv”, pasi Ryan tha dje para një grupi republikanësh se nuk do të bënte më fushatë për kandidatin republikan për president dhe nuk do t’u dilte më në mbrojtje komenteve të tij fyese që kanë irrituar shumë votues.

Me tërheqjen e Ryanit, tha kandidati Trump, “tani ndjehem shumë mirë që jam çliruar nga prangat dhe mund të luftoj për Amerikën në mënyrën time”. Ai tha se demokratët gjithmonë kanë treguar më shumë besnikëri ndaj njëri-tjetrit se republikanët, njofton VoA.

Paul Ryan, i cili vazhdon ta mbështesë Trumpin, aludoi se kandidatja demokrate për presidente, Hillary Clinton, do t’i fitonte zgjedhjet e nëntorit. Ryan ka thënë se nuk do të bëjë fushatë për Trumpin, por do të vazhdojë fushatën për kolegët republikanë që partia e tij të vazhdojë të ruajë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Në një tjetër koment në Twitter, Trump tha se e kishte fituar debatin e së dielës me Clintonin, por shtoi se “është vështirë të dalësh mirë kur Paul Ryan dhe të tjerë nuk japin asnjë mbështetje”.

Një numër i konsiderueshëm zyrtarësh të zgjedhur republikanë, përfshirë ish-kandidatin për president John McCain, kanë tërhequr mbështetjen për Donald Trumpin gjatë ditëve të fundit ose i kanë bërë thirrje kandidatit republikan të dalë nga gara pasi ditët e fundit u bënë publike regjistrime të 11 vjetëve më parë, ku dëgjohet zëri i Trumpit duke bërë komente të ulëta për gratë dhe duke u mburrur se sillet me gratë siç do vetë, pasi është njeri i famshëm. Megjithë këto presione, Donald Trump ka thënë se nuk ka për t’u tërhequr në asnjë mënyrë nga gara.

Trump ka kërkuar ndjesë për komentet që u regjistruan pa dieninë e tij dhe u bënë publike javën e kaluar.

Temat
BotëLajme

Të afërta