Thaçi dorëzon kërkesë zyrtare për ndriçimin e të gjitha masakrave në Kosovë

“Rastet e njohura të krimeve të rënda siç është masakra kundër familjes Jashari në Prekaz, masakra në Reçak, në Izbicë, në Abri të Epërme, në Krushë të Madhe, në Likoshan, në Mejë, në Dubravë, në Qyshk, në Lubeniq, në Grashticë ose kudo tjetër në Kosovë, duhet të marrin trajtimin e duhur nga drejtësia”, ka thënë Thaçi në konferencën për medie.

Ai ka kërkuar nga kryeprokurori i shtetit që të ndërmerren të gjitha masat e parapara me ligj, për të gjitha rastet e krimeve të kryera gjatë luftës. “Qytetarët e Republikës së Kosovës, me padurim presin zbardhjen e të gjitha krimeve të kryera në Kosovë dhe zbardhjen e së vërtetës”, ka thënë Thaçi, duke shtuar se shteti i Kosovës është duke u përgatitur për të ndjekur penalisht, në nivel ndërkombëtar, veprat e proporcioneve gjenocidale të regjimit të Milosheviqit.

“Besoj fuqishëm se drejtësia e vënë në vend në këto raste nuk do të thotë vetëm dënim për kryesit e veprave, por do të sillte edhe ndjenjën e drejtësisë te familjet e viktimave, si dhe do të ndihmonte edhe rindërtimin e marrëdhënieve në mes të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa asnjë dallim”, ka theksuar ai.

Presidenti Thaçi ka vlerësuar se Institucionet e Kosovës do të ofrojnë mbështetje institucionale e buxhetore, përkrahje për shtimin e kapaciteteve, si dhe çdo lloj përkrahjeje tjetër të nevojshme për të lehtësuar hapat që duhet ndërmarrë Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe institucionet tjera relevante, për të hetuar dhe për të mbyllur këto dhe rastet tjera të krimeve të luftës.

“Gjithashtu, ju ftoj që të bashkëpunoni me individë dhe me institucione në Kosovë që kanë grumbulluar të dhëna për krimet e kryera në Kosovës, por edhe me institucione dhe organizata ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë ose jashtë vendit tonë, e me qëllim që të mblidhen sa më shumë fakte, si dhe të ndiqen penalisht dhe të ekstradohen kur është nevoja për të gjithë ata që kanë kryer krime lufte”, ka thënë ai.

Temat
LajmeVend

Të afërta