Intelektuali serb: Vetëdija serbe është e helmuar me nacionalizmin kishtar, me padituri dhe me primitivizëm të madh

Bogdan Bogdanoviqi (20 gusht 1922 – 18 qershor 2010) ishte partizan gjatë Luftës së Dytë Botërore, profesor i Arkitekturës në Beograd, akademik i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve...

Bogdan Bogdanoviqi (20 gusht 1922 – 18 qershor 2010) ishte partizan gjatë Luftës së Dytë Botërore, profesor i Arkitekturës në Beograd, akademik i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve nga i cili titull jep dorëheqje, kryetar i Beogradit dhe një nga arkitektët e intelektualët më të mëdhenj të rajonit e më gjerë.
Statuja ikonë e Mitrovicës, që njihet si Monumenti i Heronjve Minatorë apo Monumenti i Partizanëve Shqiptarë e Serbë, është e vepra e tij. Ai po ashtu ka ligjëruar në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin e Prishitnës. Në vitin 1993, për shkak të kundërshtimit të politikave të Sllobodan Milosheviqit, largohet në Austri si azilant politik. Në Beograd kthehet shkurt pas rënies nga pushtetit të Sllobodan Millosheviqit. Telegrafi risjell këtë intervistë, të realizuar nga Agim Zogaj, për Javoren Politike Shqiptare – “Zëri”. Deklaratat e tij të dhëna më 2003, janë aktuale edhe sot. Në këtë intervistë ai ndër të tjera thotë: “Forcat nacionaliste serbe, të të gjitha profileve, janë kundër përcaktimit të Serbisë dhe të popullit serb për Evropë”; “Secili serb i mençur, për çka nuk dyshoj se nuk ka, e di fare mirë se tregimi për Kosovën ka mbaruar”; “Përsëritjet e nacionalistëve serbë për Kosovën, si gjoja ‘djep i serbizmit’, e përrallat tjera të tyre, janë vetëm parulla politike”; “Madje, as rusët më nuk dëshirojnë të bisedojnë për budallallëqet dhe marrëzitë serbe, jo vetëm në rastin e Kosovës”…

• Para një muaji, pas shumë vite të mërgimit në Vjenë, ishit për vizitë në Beograd. Si i shihni sot zhvillimet politike në Serbi?

MENTALITETI SERB ËSHTË MENTALITET FASHIST!

BOGDANOVIQ: Opinioni, edhe ai shqiptar, e di se në cilat rrethana, në kohën e regjimit milosheviqian, isha detyruar ta braktis atdheun tim, qytetin tim, Beogradin. Atje e kam tërë arkivin e studimeve intelektuale, prandaj në vjeshtë shkova për dy muaj për të sistemuar punën time shkencore. Në të vërtetë, kisha mjaft punë në fushën e studimeve të mia, kështu që nuk i jam lajmëruar askujt. Nuk jam lajmëruar edhe për faktin se edhe forcave të tashme politike serbe nuk u shkojnë për shtati pikëpamjet e mia politike.

Pra, situata në Serbi aspak nuk më pëlqen; ajo është shumë e errët. Por, në këtë errësirë ka diçka që është edhe më e keqe, e kjo është Serbia që nuk po shkon përpara, kah evropeizimi, por po kthehet prapa, në shekullin e XVII, XVI, XV… Aktualisht, në Serbi kemi një pushtet të trefishtë; kemi qeverinë për të cilën as Zoti nuk e di se për çfarë vendos dhe për çfarë merr vendime; kemi pushtetin e Ushtrisë dhe të Kishës serbe, të cilat veprojnë fshehurazi; si dhe kemi shtresën e tretë të cilën nuk e dimë, nuk e shohim, nuk e njeh askush, e ajo është ish-policia e fshehtë milosheviqiane dhe mafia e asaj kohe që kontrollon çdo gjë. Ndërkaq, sa i përket mozaikut politik në Serbi, pra partive politike, unë vazhdoj të jem kritik dhe shumë pesimist se në ato sfera mund të ndërrojë diçka,sepse mentaliteti serb nuk po ndryshon, ai është arkaik, konservativ, madje më duhet të them edhe fashist!

• Kah po shkon pra Serbia?

BOGDANOVIQ: Sipas bindjes sime, Serbia aspak nuk po përgatitet për Evropë. Thjesht, forcat nacionaliste serbe, të të gjitha profileve, janë kundër përcaktimit të Serbisë dhe të popullit serb për Evropë. Nacionalistët dhe fashistet e tipit të Sheshelit janë kundër Evropës. Prandaj, se kah do ta shpiejnë ata Serbinë, mbetet të shohim. Bazuar në këto rrethana, nuk e kemi aq të vështirë prognozimin…

• E përmendet nacionalizmin aktual serb. Ky nacionalizëm, edhe pas rënies së Milosheviqit, po forcohet, po rilind dhe është agresiv në temën e Kosovës…?

POPULLI SERB E KA HUMBUR LUFTËN E KOSOVËS!

BOGDANOVIQ: Ju mund të shtroni pyetjen se si është e mundshme që një Sheshel të ketë aq shumë ithtar të politikës së tij fashiste?! T’ju them të drejtën, ai në Serbi ka edhe më shumë ithtar se që kishte më herët. Dhe, kjo nuk duhet të na habisë, sepse populli im po shkon kah errësirat e shekujve të kaluar, kah mynxyrat më ekstreme nacionaliste dhe anticivilizuese. Forcimet e vetëdijes shesheliane, të vetëdijes fashiste në Serbi, i shpjegoj me faktin e ekzistencës së arkaizmit në vetëdijen e mentalitetit serb. Ata që sot e përkrahin, si votues, Sheshelin, Koshtunicën dhe nacionalistet tjerë serbë, ata mendojnë në mënyrë të vjetër, të cilën në Evropë më askush nuk mund ta kuptojë.

Merreni me mend, edhe pas rënies së Milosheviqit, regjimi i sotëm nacionalist po ngrit përmendore, buste, lapidare, për gjeneralët e luftërave të ndryshme serbe, të cilat Serbia i ka humbur!? Populli serb, i indoktrinuar, nuk do të kuptojë se vetëm në këto vitet e fundit i ka humbur katër lufta, përfshirë edhe luftën e Kosovës. Prandaj, në rastin e Kosovës kemi të bëjmë me mentalitetin mitik serb dhe me aspiratat hegjemoniste serbe. Mentaliteti i tillë edhe për Serbinë është shumë i rrezikshëm. Thënë shkurt, perspektiva e Serbisë është shumë e qartë: është edhe shumë e zymtë.

• Udhëheqësit serbë, në veçanti Çoviq (Nebojsha, kryeministër i Serbisë më 2003, pas vrasjes së Zoran Gjinxhiqit – v.j.), kërcënojnë se në rast të pavarësimit të Kosovës, do të ketë luftë të re?

BOGDANOVIQ: Po, e di se regjimi aktual, Kisha Ortodokse Serbe, Ushtria, Policia dhe nacionalistët e të gjitha ngjyrave në Serbi vazhdojnë me agresivitet të trumbetojnë për Kosovën si “djep i serbizmit” e çka tjetër. Por, pa u zgjatur në shpjegime, dua të them se secili serb i mençur, për çka nuk dyshoj se nuk ka, e di fare mirë se tregimi për Kosovën ka mbaruar! Në lidhje me Kosovën çdo gjë ka marrë fund, nuk ka kthim të Serbisë në Kosovë, sepse Kosova po ecë në drejtimin e vet të pavarësisë. Prandaj, as forcat nacionaliste, që kanë ngjyrime të fashizmit modern, nuk mund ta ndalin ecjen e Kosovës, procesin e saj. Për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës, për rrugën e saj, do të vendosin vetë kosovarët.

• Si e shpjegoni, pas gjithë këtyre luftërave dhe të humbjeve evidente të Serbisë, shkallën kaq të lartë të indoktrinimit serb?

SERBËT ENDE THIRREN NË MITOLOGJI TË RREJSHME!

BOGDANOVIQ: Problemi kryesor i Serbisë është mendimi arkaik, sipas klisheve të vjetra kishtare, nacionaliste dhe antimoderne. Përsëritjet e nacionalistëve serbë për Kosoven, si gjoja “ djep i serbizmit”, dhe përrallat tjera të tyre janë vetëm parulla politike. Sa i përket Çoviqit dhe kërcënimeve të tij, ne e dimë fare mirë se kush është ai, se sa i përngjet si mësuesit të tij, Milosheviqit. Në kohën e regjimit të Milosheviqit Çoviqi ishte kryetar i qytetit të Beogradit. Çoviqi, të kaluarën politike të të cilit e njoh fare mirë, është një njeri me ide shumë të errëta dhe ekstranacionaliste serbe. Në kohën e Milosheviqit, në një konferencë për arkitekturën, Çoviqi kishte dhënë urdhër që të mos përmendej emri im, sepse Serbia dhe bota e dinte se unë e kam kundërshtuar nacionalizmin milosheviqian.

• Si munden atëherë personalitetet e errëta politike, si Çoviqi, ta reformojnë Serbinë?

BOGDANOVIQ: Pikërisht kjo është tema e bisedës sonë. Serbia jo që nuk mund të reformohet me këta udhëheqës, me këtë elitë politike, ushtarake, policore, intelektuale, por ajo po shkon në të kaluarën. Prandaj, në Serbi e kemi konfuzion të madh.

Lidhur me kërcënimet serbe për luftë, në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, do të thosha se këto kërcënime janë dokrra, përralla nacionaliste serbe, sepse Serbia nuk mund të bëjë më luftë, as me Kosovën e as për Kosovën. Serbia i ka mbaruar luftërat e veta, agresore dhe pushtuese, duke shënuar humbje të mëdha, duke i humbur katër luftëra vetëm në dekadën e fundit.

• Pse politika serbe edhe më tej po mbahet shumë afër me Kishën serbe?

BOGDANOVIQ: Po, fatkeqësisht, politika serbe, si ajo e Milosheviqit, e Sheshelit, e Drashkoviqit dhe kjo e regjimit aktual, po flirton me kishën serbe. Zyrtarët e regjimit madje u takuan me përfaqësuesit me të lartë të kishës para nisjes për në Vjenë, në takimin me shqiptarët. Por, ato takime, me zyrtaret e kishës, ishin sa për opinion dhe në Vjenë dështoi çdo synim i Serbisë. Në Vjenë zyrtarët serbë nuk treguan mençuri për t’u marrë vesh me udhëheqjen shqiptare të Kosovës. Përkundrazi, ata vazhduan të thirren në mitologjinë serbe, ndërkaq thirrjet serbe në mitologji të rrejshme janë tregues i mjerë se në Serbi nuk ka asnjë ecje përpara, se në vetëdijen serbe nuk ka ide tucoviqiane (Dimitrije Tucoviq, njeriu i cili ka thënë të vërtetën për krimet e serbëve gjatë pushtimit të Kosovës më 1912, një nga politikanët më vizionarë të rajon që nuk e donte supremacinë serbe ndaj të tjerëve – v.j.), se ajo është e helmuar me nacionalizmin kishtar, me padituri dhe me primitivizëm të madh.

• Edhe diplomatët ndërkombëtarë theksojnë se Serbia duhet të zgjedhë midis rrugës për në Evropë dhe Kosovës. Çfarë do të zgjedhë Serbia?

NGA KOSOVA JEMI LARGUAR ME DËSHIRËN TONË!

BOGDANOVIQ: Unë nuk e di saktësisht se për ku është përcaktuar, por për Evropë jo. Ajo këmbëngul së koti për Kosovën, ndërsa dihet se Kosova ecën rrugës së vet. Madje, as rusët më nuk dëshirojnë të bisedojnë për budallallëqet dhe marrëzitë serbe, jo vetëm në rastin e Kosovës. Nacionalistët serbë eventualisht mund të provojnë të lidhen me fashistët rusë, sepse shumëçka që po ndodh në Serbi, është e afërt me fashizmin. Serbia duhet të brengoset se si anëtarët më të aftë të rinisë dhe të inteligjencës po i largohen. Në anën tjetër, duhet të ceki se ne, serbët nga Kosova, jemi larguar që nga shekujt e kaluar, shekujt XV, XVI, XVII, duke u vendosur në pjesët më të pasura në Vojvodinë. Ky largim është bërë me vullnet dhe nuk e di se pse regjimet serbe dhe akademitë nacionaliste serbe gënjejnë për gjoja përzënien e serbëve nga Kosova. Jo, ky largim, kjo tërheqje, është bërë dhe po bëhet me vullnetin serb. Nga Kosova nuk jemi përzënë, siç gënjejnë nacionalistët serbë, por jemi larguar me dëshirën tonë.

• Cila mund të jetë perspektiva e marrëdhënieve shqiptaro-serbe?

BOGDANOVIQ: Perspektiva e këtyre marrëdhënieve, jo që nuk është e ndritur, por është e errët. Fajin dhe përgjegjësinë për këtë e mban populli serb, i cili historikisht i është vërsulur popullit shqiptar, i cili ia ka marrë lirinë, tokën dhe ka bërë gjenocid mbi të. E shihni, edhe sot regjimi aktual serb jo që nuk kërkon falje për gjenocidin ndaj shqiptarëve, por, përkundrazi, vazhdon me përrallat e vjetra në lidhje me Kosovën. Nëse diçka duhet të lëvizë përpara, kah shtensionimi i marrëdhënieve, atëherë ky fillim duhet të bëhet nga ana e Serbisë.

• A mendoni edhe Ju se pavarësia e Kosovës është e vetmja alternativë që qetëson edhe rajonin?

BOGDANOVIQ: Edhe unë mendoj ashtu, sepse nuk ka zgjidhje tjera. Për Serbinë pavarësia e Kosovës do të jetë e dobishme, sepse sa më parë që Serbia të largohet nga Kosova, aq më mirë është për të. Serbia asgjë nuk humb me largimin nga Kosova. Por, unë si serb, do të dëshiroja që në Kosovën e pavarur, manastiret tona, të vjetra serbe, të ruhen.

• Cili është mesazhi i juaj për popullin e Kosovës?

BOGDANOVIQ: Do ta lusja popullin e Kosovës që t’ia falë të gjitha mëkatet dhe budallallëqet popullit tim serb dhe të provojnë të jetojnë pa konflikte, njëri pranë tjetrit, në mënyrë të civilizuar, në hapësirat evropiane, secili në shtëpinë dhe atdheun e vet.

Temat
Lajme

Të afërta