Zgjedhjet në Dibër, Kryetarja e KQZ-së: Të shmanget “votimi familjar”

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterije Luzi zhvilloi takime me gratë e Peshkopisë dhe të Maqellarës në Bashkinë Dibër. Duke vlerësuar rëndësinë e ditës e zgjedhjeve për kandidatët të cilët po zhvillojnë fushat e tyre, por mbi të gjitha për votuesit, Luzi ju bëri apel grave të Peshkopisë dhe Maqellarës që në 11 shtator, t’i drejtohen kutive të votimit dhe të shprehin vullnetin e tyre me votë të lirë, të fshehtë dhe të pandikuar. Ndërkaq, kreu i institucionit më të lartë zgjedhor në vend apeloi që gratë në zgjedhjet e pjesshme të Dibrës të bëhen barrierë për moslejimin e fenomenit të votimit familjar. “Gratë e ndërgjegjegjësura për fuqinë e votës së tyre, të cilat votojnë në mënyrë të lirë dhe të pandikuar nga mendimi i familjarëve të tyre, rrisin rolin e gruas në vendimarrje, bëhen barrierë për fenomenin negativ të “votimit familjar”, i cili për fat të keq vijon të shfaqet duke dhunuar të drejtat e grave, dhe duke u bërë shkas për cënimin e standarteve të procesit zgjedhor”- tha Luzi. Kryetarja e KQZ-së theksoi së përfshirja më e madhe e grave në procesin zgjedhor, padyshim do të ndikonte edhe në qetësimin e klimës zgjedhore. “Unë besoj, se forcat politike që garojnë për këto zgjedhje, kanë maturimin dhe përvojën disa vjeçare për të ndikuar me sjelljen e tyre në klimën e përgjithshme pragzgjedhore, klimë e cila duhet të karakterizohet nga qytetaria dhe vlerat demokratike, për të forcuar besimin e votuesve dibranë tek procesi zgjedhor!”- u shpreh Luzi.

Temat
LajmePërgjithshmeRajon

Të afërta