Thaçi përkrah rektorin dhe dekanët e rinj

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot rektorin e ri të UP-së, Marjan Dema, bashkë me dekanët e sapozgjedhur.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot rektorin e ri të Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, bashkë me dekanët e sapozgjedhur.

Pjesë e takimit ishte edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i cili, duke rikonfirmuar përkrahjen për universitetin, theksoi se ky institucion tani ka hyrë në një fazë të re të stabilizimit dhe të zhvillimit.

“Kam kënaqësinë t’ju takoj dhe t’ju uroj për zgjedhjen dhe marrjen e detyrës, t’ju përgëzoj për punën që po bëni në universitet dhe t’ju shpreh përkrahjen time”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi shprehu përkrahjen për vazhdimin e reformave në Universitetin e Prishtinës, duke shtuar se me punën e udhëheqësve të universitetit “mund të bëhen ndryshime të mëdha”.

Në emër të përfaqësuesve të universitetit, rektori Dema e falënderoi presidentin Thaçi për takimin e shpejtë pas marrjes së detyrës, duke thënë se është shumë e rëndësishme për përmirësimin e cilësisë, që universiteti të zë vend meritor në agjendën institucionale.

“Kjo tregon që universitetin e keni lart në agjendë”, u shpreh rektori Dema.

Gjithashtu, rektori Dema tregoi se dekanët dhe ai synojnë të avancojnë mësimdhënien, të shtojnë transparencën dhe llogaridhënien, si dhe të rrisin bashkëpunimin ndërkombëtar të universitetit. /Telegrafi/

Temat
LajmeVend

Të afërta