Sllovenia mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën

Ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, Miljan Majhen ka mbajtur sot një ligjeratë për studentët e Kolegjit AAB, në temën “Politika e jashtme e Sllovenisë”, ku ka thënë se Sllovenia e mbështet procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, proces ky i cili sipas tij, është në rrugë të mirë.

“Sllovenia e mbështet procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Natyrisht, dëshirojmë që të gjitha kriteret teknike të plotësohen, por besoj që ky proces është në rrugën e duhur”, ka thënë Majhen.

Sa i përket emigrimit ilegal të kosovarëve drejt vendeve të BE-së për një jetë më të mirë, ambasadori slloven tha se ky emigrim mund të ndalet vetëm me hapjen e vendeve të reja të punës.

“Ju duhet të krijoni shumë vende të reja të punës. Është lehtë të thuash që krijon vende pune, por është proces, duhet shumë punë që ta bësh këtë. Vendet e reja të punës mund të hapën duke pasur investime, e për të pasur investime, juve ju duhet sundimi i ligjit dhe stabilitet ekonomik”, ka thekuar Majhen.

Diplomati slloven foli edhe për sfidat e BE-së, ku sipas tij është çështja referendumit për daljen nga BE-ja e Britanisë së Madhe dhe çështja e  refugjatëve.

“Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodh me BE-në nëse largohet Britania e Madhe, por kjo varet nga rezultati i referendumit. Në çështje tjetër është çështja e refugjatëve. BE-ja ende nuk e  ka gjetur formulën si ta zgjedh problemin e refugjatëve. Po shohim zgjimin e partive ekstremiste, çdo herë më tepër e më tepër”, është shprehur ambasadori Majhen.

Ndërsa, sa i përket Ballkanit Perëndimor, ai ka thënë se është një çështje me shumë rëndësi për Slloveninë, ku për këtë kanë mosmarrëveshje pozitë – opozitë.Majhen foli edhe për marrëdhëniet e mira ndërshtetërore mes Sllovenisë dhe Kosovës.

“Kontributin më të madhe në NATO Sllovenia e ka në Kosovë. Kemi 300 ushtarë të NATO-s këtu, ku për secilin ushtar shteti slloven paguan nga pesë mijë euro në muaj”, ka thënë Majhen.

Ambasadori i Sllovenisë në Kosovë Miljan Majhen foli për historikun e shtet-ndërtimit slloven që nga periudha e ardhjes së popullit sllav në Ballkan e deri te pavarësia e më pas anëtarësimi në organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare si BE-ja, OKB-ja NATO etj.

Në fund të kësaj ligjërate u zhvillua edhe një debat ku studentët e Kolegjit AAB parashtruan pyetje të cilave iu përgjigj diplomati slloven.

Temat
LajmeVend

Të afërta