Behgjet Pacolli nuk dëshiron koalicion me askënd

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën dje kanë zyrtarizuar marrëveshjen për koalicionin parazgjedhor. Në këtë marrëveshje të nënshkruar nga Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj shkruan se:...

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën dje kanë zyrtarizuar marrëveshjen për koalicionin parazgjedhor.

Në këtë marrëveshje të nënshkruar nga Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj shkruan se: “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën lidhin marrëveshje të bashkëpunimit dhe dakordohen me sa vijon: që në zgjedhjet e ardhshme të ndërtojnë një koalicion parazgjedhor, që të mbeten të hapur për koalicion parazgjedhor për forcat e tjera politike, me përjashtim të partive që janë aktualisht në pushtet dhe që të mbeten të hapur për kandidatura tjera nga shoqëria civile, apo personalitete të jetës publike”.

Pra, të dyja partitë nuk kanë përjashtuar mundësinë që në koalicion e tyre parazgjedhor të hyjë edhe ndonjë parti tjetër përveç LDK-së dhe PDK-së.

Por, lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli në një prononcim për Telegrafin ka thënë se partia e tij nuk do të pranojë të hyjë në koalicioni me askënd dhe se do të dalë e vetme në zgjedhje.

“E kemi bërë publik qëndrimin tonë për këtë çështje dhe nuk ka asnjë arsye për ndryshim të këtij qëndrimi. AKR do të dalë e vetme në zgjedhje. Ajo do të bëhet bartësja, nxitësja, shprehësja e gjithë forcave, ndjeshmërive të reja shoqërore, ekonomike, moshore, gjinore të Kosovës, por nuk do të hyjë në koalicion parazgjedhor me askënd. I urojmë çdo subjekti, t’i shërbejë Kosovës me devotshmëri. I duam sukses çdokujt që punon për të mirën e Kosovës dhe që është dëshmuar se punon për të mirën e Kosovës dhe jo për vete”, ka thënë Pacolli.

Ai më tej duke folur për koalicionin në mes AAK-së dhe Nisma-s.Pacolli ka thënë se nëse bazohemi në dokumentin e marrëveshjes që është bërë publike në media, duket se ende nuk e kemi ende një koalicion parazgjedhor.

“Unë nuk kam luksin që të komentoj lirisht për çdo ngjarje të rëndësishme apo të parëndësishme që ndodh në jetën politike, për çdo deklarim, shpallje qëllimesh të sotme apo të ardhme. Mund të them në parim se çdo bashkim forcash politike, që zbeh idenë e ndarjes, e krahinarizmit, e personalizimit politik, që pasuron skenën politike, që është diçka e re, e paprovuar, plot energji pozitive për ndryshim është interesant për të gjithë. Nëse mbështetemi tek një dokument të cilin e kanë përcjellë mediat më duket se nuk kemi ende një koalicion parazgjedhor, përveçse një dakordim për ta krijuar koalicion parazgjedhor. Pra kemi një marrëveshje qëllimesh. Është përparim drejt qëllimeve, por nuk janë vetë jetësimi i qëllimeve”, ka qenë komenti i Behgjet Pacollit. /Telegrafi/

Temat
LajmeVend

Të afërta