Studim jo i fesë, por i historisë së feve

Ardian Vehbiu

Njohuritë për fetë, që nuk duhen ngatërruar me besimin fetar, janë bërë tashmë të domosdoshme për formimin qytetar europian (dhe jo vetëm); në rrethanat kur fetë e ndryshme ballafaqohen mes tyre, por edhe me ateizmin, agnosticizmin dhe misticizmin haptazi dhe fshehurazi

Kryeministri Rama paska hedhur idenë për studimin e fesë në shkollat e republikës, çka është pritur me kundërshtim dhe skepticizëm nga shumë anë.

Disa media kanë folur për një futje të “mësimit të fesë” në shkolla, gjë që nuk më duket e saktë.

Në mësimin e fesë, nxënësit mësojnë për fenë e tyre; përkundrazi, ideja e kryeministrit, që përsiatet prej kohësh në Europë, është që në shkolla nxënësit të mësojnë për fenë e tjetrit.

Mes pështjellimit dhe formulimeve të pasakta, kam frikë se ideja e kryeministrit përfundoi në një batutë për t’u kundërshtuar me batuta të tjera.

Nuk besoj se sot në Shqipëri mund të kërkojë kushfutjen e fesë në shkollat publike, qoftë ai edhe kryeministri vetë; por vetëm studimin e historisë së feve, diçka krejt tjetër.

Njohuritë për fetë, që nuk duhen ngatërruar me besimin fetar, janë bërë tashmë të domosdoshme për formimin qytetar europian (dhe jo vetëm); në rrethanat kur fetë e ndryshme ballafaqohen mes tyre, por edhe me ateizmin, agnosticizmin dhe misticizmin haptazi dhe fshehurazi.

Brezi im u rrit në një mjedis fetarisht të sterilizuar; por kjo sot na krijon jo pak vështirësi, në përpjekjet për të komunikuar me kulturën, në Perëndim dhe në Lindje.

Brezat më të rinj se imi, që kushedi i ekspozohen trysnive nga burime të radikalizuara të dijes fetare, ndeshin në vështirësi të një lloji tjetër: atje ku ne më të vjetrit mezi i dallojmë diferencat dhe fillesat e ndryshme kulturore, atyre më të rinjve këto mund t’u duken arsye të mjaftueshme për konflikt moral dhe jo vetëm.

Të dyja këto patologji ekspozojnë ndaj rreziqeve dhe konflikteve sociale, sidomos në afat të gjatë.

Padija që shpesh kemi për fenë e tjetrit, por edhe fenë tek e cila thjesht nuk besojmë, shndërrohet në burim përçarjeje dhe dhune.

Të paditur, e shohim Tjetrin si karikaturë, ose veç duke ia lexuar shenjat e jashtme.

Tjetër punë si do të realizohet njohja e fesë së Tjetrit, ose kush do t’i mësojë mësuesit dhe kush do t’i edukojë edukatorët: historia e feve është displinë komplekse dhe e vështirë për t’u rrokur, përtej klisheve pseudo-ekumenike ose kurioziteteve antropologjike.

Vetëm vullneti i mirë nuk mjafton; puna e filluar tani, do të japë frytet e saj shumë më vonë.

Temat
Opinione

Të afërta