Thaçi pas takimit të samitit: Kishim mospajtime me Vucicin

Thaçi tha se mospajtimet erdhen pasi që Vuçiq mohon krimet e Serbisë në Kosovë.
Pas takimit të samitit të Brdo Brijunit në Tiranë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka folur para gazetarëve ku ka thënë se me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar si dy lider të rajonit, por që kanë pas mospajtime me që siç tha ai, Vuçiq mohon krimet e Serbisë në Kosovë.

Thaçi tha se kushtëzimi i dialogut nga ana e Serbisë është i padrejtë, ndërsa taksa është vendim i drejtë. Mëngjesin e sotëm, Thaçi derisa ka shtrënguar duart me presidentin e Serbisë, Vuçiq nuk e ka bërë të njëjtën gjë me Millorad Dodik. Për pjesëmarrjen e Dodik është pyetur edhe presidenti shqiptar, Ilir Meta në konferencën me gazetarë.

Meta u pyet nëse dy liderët e Kosovës dhe Serbisë janë afruar më shumë dhe se a ka gjasa që të rinisë dialogu.

“Nuk di të them nëse ky samit ka afruar më tepër dy liderët Kosovë-Serbi, por di që atmosfera ka qenë shumë pozitiv këtu. Do të donim që dialogu Kosovë –Serbi të kishte përfunduar dje, jo sot dhe as nesër. Samiti i Brdo Brijunit është një samit që ka një format të përcaktuar. Andaj i ftuar ka qenë edhe Millorad Dodik. Ai do të vijë edhe për turizëm këtu”, ka thënë Meta.

Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka hedhur poshtë spekulimet se dorë-shtrëngimi i tij me homologun e tij kosovar, Hashim Thaçi në Tiranë mund të jetë një shenjë se marrëveshja po afrohet.

“Isha duke shtrënguar duart me të gjithë ata që takova dhe kështu edhe me Hashim Thaçin, por kjo nuk ishte zyrtare”, ka thënë ai.

Temat
LajmeVend

Të afërta