Sulltan Erdogan e kërcënon Haradinajn, i fton kosovarët të protestojnë kundër tij

Presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, në një fjalim të sotëm, e ka kërcënuar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj se do të japë përgjegjësi për menaxhimin e situatës me turqit e deportuar.
Ai e ka kritikuar atë për shkarkimin e ministrit të Brendshëm dhe shefit të AKI-së, dhe i ka ftuar kosovarët të protestojnë kundër tij.

“Shërbimet tona sekrete kanë sjellë këtu gjashtë anëtarë të Gylenit. Por jam i mërzitur sepse mora vesh që janë shkarkuar minitri i Brendshëm dhe shefi i shërbimeve sekrete. Ej, kryeministri i Kosovës, që kur paske filluar të mbrosh ata që kanë bërë grusht shteti në Turqi? Nga kush i merr urdhrat ti? Jam i sigurt që populli i Kosovës, vëllezërit tanë aty, do të t’a japë përgjigjen e merituar”., tha Erdogan duke sulmuar njëkohësisht SHBA-të, të cilat sipas tij kontrollojnë Haradinajn.

Në këtë formë, Erdogan ka kursyer Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, i cili doli pro aksionit të AKI’së.

Madje, Thaçi tha se aksioni ishte ndërmarrë pasi gylenistët rrezikonin sigurinë kombëtare të Kosovës.

Gjashtë shtetasit turq u dëbuan nga Kosova me një vendim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila kishte revokuar lejet e qëndrimit në Kosovë. Revokimi kishte ndodhur pasi AKI në bashkëpunim me inteligjencën turke kishin konstatuar se të njëjtit persona përbëjnë rrezik kombëtar për Shtetin.

Behgjet Pacolli kishte thënë se operacioni ishte udhëhequr nga Shefi i AKI’së derisa informacione s’kishin pasur as Haradinaj, Veseli e Thaçi. Megjithëkëtë, shumëkush ka drejtuar gishtin se operacionin e ka udhëhequr edhe Presidenti.

Sidoqoftë, operacioni për arrestimin dhe dërgimin e turqve në Turqi ishin zhvilluar gjatë ditës së enjte. Ishin deportuar për në shtetin turk me një procedurë të përshpejtuar.
Pas kësaj, Kryeministri Haradinaj ka lëshuar një shkresë me të cilin ka kërkuar lirimin e pozitave shtetërore të Sefajt dhe Gashit.

Temat
LajmeVend

Të afërta