Lajme

Arratisja e 3 ish-zyrtarëve të policisë, flet për herë të parë Xhafaj

By FIRST CHANNEL

November 25, 2017

“Nuk ishin nën vëzhgimin tonë. Policia nuk ka pasur dijeni, nuk ishte në dorën tonë”.

Është kjo përgjigja e ministri të Brendshëm Fatmir Xhafaj në lidhje me tre ish zyrtarët e lartë të policisë në qarkun e Vlorës të cilët tashmë janë shpallur në kërkim pas akuzave që rëndojnë mbi ta për lidhe me trafikun e lendeve narkotike që bënin fisi Habilaj në këtë qark.

” SHÇBA i mori faktet në 22 nëntor nga Prokuroria. Në Shqipëri ka shumë grupe kriminale”, u shpreh ministri.

Duke iu përgjigjur akuzave se operacioni është dekonspiruar nga policia, Xhafaj theksoi se duhet të pyetet Prokuroria që të japë përgjigje se me kë institucion i ka ndjekur ata.

“Nuk kemi pasur dijeni. Tre ish-punonjësit e policisë nuk kanë qenë në vëzhgim nga Policia. Duhet të pyesni Prokurorinë se me kë i ka pasur në vëzhgim, jo me policinë”, u shpreh Xhafaj.

“Nuk kam emra konkretë për dekonspirimin. Të arrestohen ata që kërkohen”, shtoi Xhafaj.

Ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim ish kreun e policisë së Vlorës, Jaeld Çelën, ish shefin e krimit të organizuar në Vlorë, Gjergj Kohila si dhe ish kreun e postës së kufirit në Dhërmi, Sogol Boden si persona që kanë qenë në dijeni për trafikun e drogës që bënin Habilajt. /Gazeta Express/