Lajme

Efektet e para të Qeverisë Zaev-BDI: 746 vjet burg për shqiptarët

By FIRST CHANNEL

November 02, 2017

Vetëm disa muaj pas themelimit të Qeverisë së re të Maqedonisë përmes koalicionit të partisë së Zoran Zaev, LSDM dhe BDI-së, vjen vendimi me dënime rekorde për shqiptarët e të ashtuaquajturit “Grupi i Kumanovës”.

Gjykata Themelore e Shkupit ka dënuar me gjithsej 746 vjet burg pjesëtarët e grupit të Kumanovës, të akuzuar për terrorizëm për luftimet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015. Për veprën terrorizëm ishin akuzuar gjithsej 37 persona, prej të cilëve 7 janë dënuar me burg të përjetshëm.

Të dënuarit me burgim të përjetshëm janë: Andi Krasniqi, Dem Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Bek Bajra dhe Fejzulla Rushitovski. Trembëdhjetë janë dënuar me nga 40 vjet burg, 6 me nga 20 vjet burg, kurse të tjerët me nga 18 e më poshtë. 4 persona janë liruar si të pafajshëm.

Shumica e të dënuarve janë shtetas të Kosovës, të cilët edhe llogaritët si organizatorët të ngjarjeve tragjike në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Në luftimet dy ditore ishin vrarë 8 pjesëtarë të forcave policore dhe 10 pjesëtarët të grupit të armatosur në mesin e të cilëve edhe dy ish-komandantë të UÇK-së, Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj.